E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjistri elektronik përfundon në verë

Regjistri elektronik i shtetasve të Republikës së Shqipërisë përfundon në verën e këtij viti. Ministria e Brendshme lajmëroi dje se përgatitja e regjistrit elektronik të shtetasve për të gjithë vendin do të përfundojë brenda verës së këtij viti. Megjithëse një ditë pushimi, ministri i Brendshëm Bujar Nishani inspektoi dje ecurinë e procesit për regjistrin elektronik të shtetasve në Bashkinë Berat. "Së bashku me kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, në prani edhe të kryebashkiakut Fadil Nasufi, ministri Nishani vizitoi zyrën e gjendjes civile të rajonit nr. 2 të kësaj bashkie. Drejtueset e kësaj zyre njohën ministrin Nishani dhe ambasadorin Bosch me punën e kryer deri më tani, që konsiston në hedhjen e të dhënave të regjistrit themeltar në mënyrë elektronike, e po kështu edhe me përfundimin e verifikimit të këtij procesi. Më tej puna do të vijojë edhe me certifikimin e të gjithë procesit", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. Sipas saj, ecuria e punës ka qenë e kënaqshme dhe dy fazat e para janë mbyllur brenda afateve të parashikuara. Nishani dhe Bosch shprehën vlerësimet e tyre për punën e kryer, si dhe angazhimin e profesionalizmin e treguar nga punonjësit e zyrave të gjendjes civile në Bashkinë Berat. Ministri i Brendshëm theksoi gjatë takimit me këta punonjës, se me realizimin e këtij procesi do t‘i bëhet një shërbim i vyer vendit dhe shoqërisë, se në këtë mënyrë sigurohet baza e nevojshme për pajisjen e shtetasve me dokumente të sigurisë së lartë. Ndërkohë, ambasadori Bosch e cilësoi procesin e përgatitjes së regjistrit elektronik të shtetasve si një hap të madh e të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve ndaj publikut dhe pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike e pasaporta biometrike. Kreu i Prezencës së OSBE-së siguroi edhe njëherë për mbështetje në vazhdimësi të këtij projekti. Ministri Nishani dhe ambasadori Bosch zhvilluan takime të veçanta edhe me prefektin e Qarkut Berat, z. Thoma Rumnici, dhe kryetarin e Këshillit të Qarkut, Pelivan Shatri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›