E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gradat, priten shkarkime në kreun e Policisë së Shtetit

Implementimi i gradave në polici, i cili duhet të aplikohet deri në datën 11 qershor, do të lëvizë pjesën më të madhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, afërsisht rreth 30% të personelit. Në ligjin e ri thuhet se në Drejtorinë e Policisë nuk mund të punosh nëse nuk ke tetë vjet në strukturat policore dhe këtë pikë nuk e përmbush një pjesë e mirë e efektivëve. Një ndër problemet që lind në këtë drejtori janë punonjësit e teknologjisë së informacionit, i cili është një sektor i ri në polici dhe specialistët nuk i kanë mbushur tetë vite pune në polici. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe sektori i marrëdhënieve me publikun dhe median. Largimi i punonjësve të policisë ende nuk është kryer, edhe pse po i afrohet afati i fundit dhe po kërkohet për të një zgjidhje të ligjit. Por, mesa duket, nëse nuk do të ketë ndërhyrje në ligj, atëherë dhjetëra specialistë të fushave të ndryshme duhet të rikthehen në drejtoritë rajonale të policisë, ose në të kundërt humbasin vendin e punës. Ndërkohë, një tjetër problem mbetet për ata oficerë të policisë që mbajnë funksione jo në bazë të gradës që kanë, të cilët ose automatikisht largohen nga policia ose zbresin në një funksion më poshtë. Implementimi i ligjit për Policinë e Shtetit është duke u monitoruar në mënyrë rigoroze nga agjencitë e huaja të asistencës policore që operojnë në Shqipëri.
Ndërkohë, propozimi për pagat e reja të uniformave blu do të dërgohet në Këshillin e Ministrave dhe sistemi i ri i pagave do të hyjë në fuqi në 6-mujorin e dytë të këtij viti. Propozimi i bërë nga specialistët do të merret në shqyrtim nga drejtuesit e policisë dhe Ministrisë së Brendshme. Më pas ai do të rishikohet nëse do të ketë ndryshime dhe në përfundim ky propozim do të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave. Megjithatë, ai ende nuk është i plotë, pasi priten edhe pagat suplementare për vend pune. Sipas të dhënave, pagat bazë nuk përfshijnë përfitimet suplementare që parashikohen me ligj. Ligji parashikon që punonjësit e policisë, të cilët kanë funksion të vështirë, pavarësisht se kanë të njëjtën gradë me funksione të tjera, marrin pagë më të lartë. Shtesat e këtyre pagave variojnë nga 6500 lekë deri në 20000 lekë. Megjithatë, ndryshimi i pagave të policisë sjell edhe shtim të fondit për rrogat, pasi në total ato arrijnë një shifër të lartë. Sipas të dhënave, pagat e reja të punonjësve të policisë do të bëhen sipas gradës përkatëse që ata kanë. Kështu, do të ketë rritje rroge për rreth 9 mijë e 500 policë në të gjithë vendin. Ky propozim i policisë siguron kryesisht jo vetëm bazën e nevojshme nënligjore, por edhe ndikon dukshëm në trajtimin financiar me parametra të zbatuara dhe të krahasueshme me atë të punonjësve në strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme. Një tjetër drejtim ku do të ndikojë ndryshimi i pagave dhe gradave të reja, është krijimi i piramidës së pagës në përputhje me gradat dhe karrierën, gjithashtu edhe stimulim për rekrutime cilësore e vazhdimësi të karrierës në polici. Vendimi i qeverisë për gradat e reja dhe propozimi për ndryshimin e pagave ka sjellë edhe një tjetër hap të rëndësishëm për punonjësit e nivelit bazë të ulët, të cilët tashmë do të kenë rritje të motivimit për punë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›