Kur Shqipëria u prishte ëndrrat ekipeve elitare
Leonard Karaj
Nuk arrijmë të kualifikohemi vetë në një evropian ose botëror, u prishim punë sa të mundim edhe të tjerëve. Ndonëse jo direkt me një synim të tillë, jo pak herë Kombëtarja shqiptare u ka prishur mjaft punë skuadrave të mëdha gjatë ndeshjeve kualifikuese kur u ka marrë ndonjë fitore sporadike ose barazim. Gjermanët e kujtojnë edhe sot, pas 42 vjetësh një barazim të thatë 0-0 në Tiranë më 1967 por që faktikisht i la jashtë evropianit italian të një viti më vonë. Si ata janë edhe grekët, turqit, danezët, bullgarët dhe së fundmi “në gjunjë” duke na u lutur janë vënë portugezët dhe pse jo edhe suedezët e hungarezët. Kjo për faktin se një fitore e kuqezinjve ndaj Danimarkës ditën e nesërme do të hapte llogaritë për kreun e grupit 1 ku Portugalia do të merrte sërish frymë lirisht ndërsa Suedia e Hungaria do të shikonin dritë në fund të tunelit, për të kapur kryesimin e grupit kur kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u luajtur.
Gjermania & Irlanda e Veriut
Shqipëria as ka tentuar ndonjëherë realisht për tu kualifikuar në një evropian ose botëror, por kemi tërhequr pas vetes jo pak skuadra elitare. Zanafilla nis që në kualifikimet për botërorin “Angli 1966”. Një “Top i Artë” zbriste në tapetin e “Qemal Stafës”, Xhorxh Best. Por barazimi (1-1) që Irlanda Veriore e tij mori në Tiranë i kushtoi kualifikimin. Dy vjet më vonë do të ishte pikërisht Gjermania e Sep Majer, Vili Shulz, Franc Bekenbauer, Berti Vogs, Volfgan Overat, etj nuk arrinte të shënonte në Tiranë duke humbur një pikë të vyer që më pas do të rezultonte fatale. Jugosllavia kualifikohej për në evropian, ndaj gjermanët mungonin për të parën herë në një finale evropiani për shkak të Shqipërisë.
Turqia & Bullgaria
Ndërsa në kualifikimet e EURO 1972 Shqipëria merrte vetëm një fitore në 6 takime, e mjaftueshme kjo për të skualifikuar as më pak dhe as më shumë se Turqinë. Kuqezinjtë fitonin 3-0 në Tiranë dhe përfaqësuesja turke i thoshte lamtumirë evropianit ’72. Tre dekada më vonë pre e kuqezinjve sërish në një evropian do të bëhej Bullgaria e Hirsto Stoiçkovit. Një barazim 0-0 në Sofje dhe një tjetër 1-1 në Tiranë bëri që përfaqësuesja bardhëjeshile të mos shkonte dot në evropianit austro-zviceran të 2008-ës. Madje pas barazimit të parë, trajneri Stoiçkov u detyrua të japë edhe dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës.
Greqia & Danimarka
Ndrësa grekët janë skuadra që i kemi “rënë më shumë në qafë”. Në EURO 2000 barazimi pa gola në Tiranë lë jashtë Greqinë nga evropiani belgo-holandez i vitit 2000. Po në ato kualifikime grekët shpresuan se Shqipëria do të të mund të ndalte të paktën në një barazim në Tiranë, Slloveninë e Zahoviç, me qëllim që të zinin vendin e dytë. Nuk ndodhi kështu. Katër vjet më vonë, Greqia vinte në Tiranë si Kampione e Evropës dhe dorëzohej që në ndeshjen e parë. Në fund tre pikëshi i “Qemal Stafës” rezultoi dërrmues për kualifikimin helen në “Gjermani 2006”. Po në atë edicion edhe danezët “u lutën” që kombëtarja e Brigelit të mund të merrte të paktën një barazim në ndeshjen e fundit ndaj Turqisë. Nëse një gjë e tillë ndodhte Danimarka do të zinte vendin e dytë në grup dhe do të luante ndeshjet play-off. Faktikisht Turqia fitoi por edhe se Shqipëria e Brigelit nuk “u rraskapit” për të marrë një barazim.
Rastet
Botërori 1966/Grupi 5
Shqipëria-Irlandë e Veriut 1-1
Irlandezët nuk shkojnë në “Anglia 1966”
EURO 1968/Grupi 4
Shqipëri-Gjermani 0-0
Gjermanët nuk kualifikohen për në evropianin e 68-ës.
EURO 1972/Grupi 8
Shqipëri-Turqi 3-0
Turqit nuk marrin pjesë në “Belgjikë 1972”.
EURO 2000/Grupi 2
Shqipëri-Greqi 0-0
Helenët nuk kualifikohen për në EURO 2000.
Botërori 2006/Grupi 2
Shqipëri-Turqi 0-1
Danezët shpresojë te një barazim me qëllim që të kalojnë në play-off në vend të Turqisë.
Botërori 2006/Grupi 2
Shqipëri-Greqi 2-1
Grekët, Kampionë Evrope nuk kualifikohen në botëror
EURO 2008/Grupi G
Bullgari-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Bullgari 1-1
Shqipëria lë jashtë bullgarët dhe shkarkon Hirsto Stoiçkov nga pankina.