E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot "beteja" në Gjykatën e Lartë për "Durrës-Kukës"

Në Gjykatën e Lartë do të zhvillohet sot "beteja" e parë midis prokurorisë dhe të pandehurve për dosjen "Durrës-Kukës". Seanca është parashikuar të fillojë në orën 10:00. Pritet që në seancën e parë të ketë debate për disa akte procedurale të prokurorisë, gjatë veprimeve hetimore të dosjes "Durrës-Kukës", që janë vënë në dyshim nga mbrojtja e të pandehurve. Në fillim, dy të pandehurit, Andi Toma dhe Armand Teliti, kundërshtuan prokurorinë për zgjatjen njëmujore të hetimit të dosjes. Gjyqtari Sokol Tona i dha të drejtë mbrojtjes, duke urdhëruar mbylljen e hetimeve brenda datës 6 dhjetor 2008. Disa ditë më vonë prokuroria mori të pandehur ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. Akti procedural u kundërshtua nga avokatët me pretendimin se Basha është marrë i pandehur në një kohë që gjykata ka urdhëruar mbylljen e hetimit një muaj më parë. Argumenti është paraqitur në gjykatë. Shorti elektronik në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës përcaktoi se gjyqtarja që do të gjykonte këtë kërkesë ishte Fatmira Hajdari, e veja e ish-deputetit të vrarë në vitin 1998, Azem Hajdari. Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, prokuroria kërkoi që kjo çështje të gjykohet në Gjykatën e Lartë. Pas verifikimit të bazës ligjore të kërkesës, gjyqtarja Hajdari hodhi poshtë pretendimin e akuzës. Menjëherë pas rrëzimit të kërkesës, prokuroria kërkoi largimin e gjyqtares Hajdari. Në seancën e radhës, Hajdari vendosi se Lulzim Basha nuk duhej marrë i pandehur. Pritet që të gjitha vendimet gjyqësore të mësipërme, por edhe seancat gjyqësore që kanë si objekt dosjen "Durrës-Kukës", të verifikohen nga Gjykata Supreme në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›