E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen hetimet për dy dosje që u hetuan për krimin e vrasjes

09/07/2009  Në gjykatë përfundojnë shtetasit Viktor Prendi, Artur Prenga dhe Dritan Aga

TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka përfunduar procesin hetimor në ngarkim të tre shtetasve, të cilët akuzohen për “vrasje me dashje”, “armëmbajtje pa leje”, “shkatërrim prone” si dhe “fyerje për shkak të detyrës”. Dosja e parë që ka si të pandehur Viktor Prendin, 38 vjeç, bën fjalë lidhur me një vrasje të ndodhur më 9 janar të këtij viti. Nga provat e administruara në dosje rezulton se i pandehuri Prendi ka ekzekutuar me automatik nënën e tij, Dile Prendi. Mësohet se motivet e kësaj ngjarje kanë qenë banale, pasi 58-vjeçarja Prendi nuk e trajtonte në mënyrë korrekte babanë e autorit, i cili ishte edhe burri i viktimës. Në deklarimet që ka dhënë përpara prokurorëve i pandehuri Viktor Prendi lindur në Pukë dhe banues në fshatin Prush të Tiranës, ka pohuar se viktima e përbuzte babanë e tij. Madje ai ka deklaruar se Dile Prendi nuk i jepte as një lekë për të pirrë kafe dhe se herë pas here ajo ja fshinte edhe këpucët, në mënyrë që babai i tij të mos dilte jashtë të takonte shokët. I nisur nga kjo situatë në gjaknxehtësi e sipër ai ka ekzekutuar nënën e tij, krim nga i cili 38-vjeçari Prendi ka përfunduar si i pandehur në gjykatë me akuzën e “vrasjes me dashje” dhe “armëmbajtjes pa leje”. Ndërkohë që një tjetër dosje penale që është dërguar në gjykatën e Tiranës është ajo e dy shtetasve Artur Prenga dhe Dritan Aga. Procedimi penal në ngarkim të tyre bën fjalë për një ngjarje të ndodhur më 29 nëntor të vitit të kaluar, ku pas një konflikti të ndodhur në Shkozë, është vrarë shtetasi 33-vjeçar Lulëzim Zeqaj. Nga hetimi i kryer, Prokuroria ka mësuar se një i afërm i Prengës (Dritan Aga) ka punuar në një servis me pronarët e të cilit kishte lidhje i dëmtuari Zeqaj, që u tërhoq zvarrë me makinë. Nisur nga kjo situatë dy të pandehurit e lartpërmendur janë konfliktuar me 33-vjeçarin Zeqaj dhe më pas e kanë goditur atë me automjetin e tyre tip saurele, duke i shkaktuar vdekjen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›