E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentojnë grabitjen në stacionin e Policisë Kufitare

09/07/2009  I hoqën motorin makinës “nën hundën” e rojës, 3 të rinjtë ende të paidentifikuar

Mjetet, të bllokuara nga Policia Rrugore për parregullsi të ndryshme

POGRADEC- Tre persona ende të paidentifikuar kanë tentuar të grabisin motorin e një makine, e cila gjendej bashkë me të tjerat në stacionin e Policisë Kufitare dhe Zjarrfikëses. Mësohet gjithashtu se në këtë stacion mbahen automjetet e bllokuara nga policia. Gjithsesi, tre personat në fjalë, edhe pse kishin arritur të hiqnin motorin nga automjeti, nuk kishin mundur ta nxirrnin atë jashtë ambienteve të stacionit, pasi gjatë kohës së tentativës për grabitje ata ishin pikasur nga rojet e këtij stacioni. Për këtë arsye, tre personat janë larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, ndërsa tashmë policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre. Detajet e kësaj ngjarjeje i sjellin burimet pranë Drejtorisë së Policisë në qarkun e Korçës, të cilat sqarojnë se “ngjarja ka zënë fill një ditë më parë rreth orës 17.30, në vendin e quajtur stacioni i Policisë Kufitare dhe Zjarrfikëses, ku qëndrojnë automjetet e bllokuara nga Policia e Qarkullimit Rrugor dhe Prokuroria”. “Ky stacion policie gjendet në lagjen nr 1 në qytetin e Pogradecit”, bëjnë të ditur burimet policore. “Megjithatë, ndërsa personat po realizonin grabitjen, roja i shërbimit të Policisë Kufitare ka konstatuar se tre persona të vendosur në një largësi prej 200-300 metra nga njëri-tjetri po qëndronin afër një automjeti tip “Volksvagen Pasat” me targe LB 0987A, i cili ishte i bllokuar në këtë pikë. Deri në atë çast, tre grabitësit kishin mundur të hiqnin motorin prej trupit të mjetit, duke e vendosur atë në një karrocë dore me të cilën do ta transportonin. Ndërsa roja ka tentuar që t’i ndalë, grabitësit janë larguar me vrap pa u identifikuar dot.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›