E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Berishës ja siguron pensionin Fazlliç, LSI do ju rrisë pensionin

 Lideri i LSI, takim me banorët e Fushë Krujës, prezanton kandidatin Agim Xheka
Lideri i LSI, Ilir Meta zhvilloi dje një takim mjaft entuziast me qindra përkrahës të LSI, banorë të Fushë-Krujës. Meta ka prezantuar kandidatin e LSI në këtë zonë, Agim Xheka dhe u shpreh i sigurtë për fitoren e tij. Gjatë këtij takimi, Meta ka marrë garancinë nga banorët e Fushë-Krujës për fitoren e padiskutueshme të LSI, si një alternativë e qartë dhe konkrete që do ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe do të rrisë mirëqenien e shqiptarëve përmes planit konkret që ka LSI për punësimin. Duke marrë fjalën në mes të entuziasmit të qindra të pranishmëve, Meta u shpreh se Fushë Kruja ka qenë gjithnjë qendra e së majtës, sepse ky është një popull i mrekullueshëm, një popull solidar, një popull patriot, që e meriton alternativën tonë, si alternativa më e sigurt për të larguar një herë e mirë pensionistin Berisha në 28 Qershor, sepse rinia e Fushë Krujës dhe e gjithë Shqipërisë nuk mund të qeveriset më nga Sali Berisha. Ka kaq shumë energji, vijoi Meta, që kërkon të shpërthejë duke punuar dhe duke ndërtuar një jetë të sigurt. Pensionistët që janë këtu, veteranët që janë këtu, nuk mund të pranojnë një Kryeministër, i cili një projektligj të shkëlqyer, që paraqiti LSI në parlament për Kujdesin ndaj Moshës së Tretë, për ti ndihmuar dhe për ti mbështetur pensionistët e Shqipërisë, ai e rrëzoi, u shpreh Meta, duke shtuar se Sali Berisha edhe pse ka moshën e pensionit nuk i bëhet vonë për pensionin e tij, sepse pensionin ia siguron Fazlliçi. Ai tha se pensionistët dhe veteranët e nderuar në të gjithë vendin, nuk jetojnë dot dhe nuk paguajnë dot as faturat e energjisë elektrike dhe as të kurohen për problemet shëndetësore, me pensionet e sotme. Meta deklaroi se Shqipëria nuk ka më nevojë për politikën e gënjeshtrave, për politikën e 1 prillit. Duke iu drejtuar qytetarëve të pranishëm, Meta u shpreh se Shqipëria po kërkon me vendosmërinë tuaj dhe në veçanti me vendosmërinë e rinisë shqiptare kudo, një politikë e cila punon për Shqipërinë dhe shqiptarët sepse tani është Koha për Veprim. Lideri i LSI theksoi se tashmë është koha për punësim, është koha për të shpëtuar bujqësinë nga katastrofa ku e ka zhytur braktisja dhe harresa e kësaj qeverie. Sipas tij, vendi ka hyrë në krizë nga i njëjti njeri që e la në krizë në vitin 1997, nga Sali Berisha. Vetëm ne mund ta nxjerrim Shqipërinë nga kriza dhe ta fusin në rrugën e zhvillimit dhe vetëm ne mund të sjellim standardet evropiane në Fushë Krujë, në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, tha Meta, duke shtuar se ne do të jemi mirënjohës jo me fjalë por me vepra, çdo biznesmeni që shton një vend të ri pune, që krijon në vend të ri pune, duke krijuar lehtësira fiskale dhe tatimore sepse papunësia është problemi më i madh që ka Shqipëria. Meta tha se gjithë këto të rinj dhe të reja nuk punojnë se nuk kanë mundësi të ndërtojnë në jetë të sigurt. Kemi gjithë ato të rinj dhe të reja që kanë frikë të martohen jo se nuk duan, por se nuk kanë mundësi të marrin një shtëpi, që nuk kanë mundësi të rrisin një fëmijë, sepse të tilla janë pasojat sociale të kësaj qeverie, u shpreh Meta.Ai tha se LSI është një alternativë e qartë, një alternativë e majtë, një alternativë progresiste, e cila do të garantojë punësim për ta dhe për të gjithë shqiptarët që duan të jetojnë me punë të ndershme. Meta vijoi se LSI do të garantojë një rol më të madh të shtetit për të ndihmuar qytetarët e tij. Ai deklaroi se LSI do të garantojë një rol shumë më të madh të qeverisë për të mbështetur daljen e bujqësisë nga kriza, krijimin e asaj industrie agro-përpunuese që do të jetë një treg i sigurt për të gjitha prodhimet bujqësore në vend. Sipas tij, është një skandal i vërtetë që ne gjysmën e popullsisë e kemi në zona rurale, dhe nuk ushqejmë dot veten tonë, duke eksportuar 1 euro prodhime bujqësore dhe ushqimore dhe importojmë 10 euro. Kjo do të thotë, tha Meta, se ekonomia jonë bëhet gjithnjë më e varur nga jashtë gjithnjë e më e dobët. Kjo do të thotë që ekonomia familjare e secilit prej jush bëhet e tillë. Pra, bëhet e dobët, bëhet më e cenueshme nga varfëria, vijoi Meta.

Last Updated on Saturday, 11 April 2009 22:56

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›