E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata rrëzon Aldo Baren, kërkon kohë për njohje me aktet

Rrëzohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda kërkesat e Aldo Bares për përjashtim nga trupi gjykues për gjyqtaren Fatmira Hajdari, si dhe shuarjen e masës së sigurisë për shkak të kalimit të afateve gjatë kohës që ishte në Turqi i arrestuar. Të dyja këto kërkesa janë gjetur nga gjyqtarët si të pabazuara në ligj, ndërkohë që vendimet janë marrë nga dy gjyqtarë të ndryshëm. Kërkesa e parë është shqyrtuar dje nga kreu i Gjykatës për Krime të Rënda, Dritan Hallunaj, i cili e ka rrëzuar si të pambështetur në ligj kërkesën e Aldo Bares për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga trupa gjyqësore që gjykon të pandehurin. Sipas arsyetimit të kryegjyqtarit Hallunaj, kërkesa nuk mund të pranohet, pasi gjykata nuk është një institucion i politizuar dhe për këtë arsye nuk mund të paragjykohet një gjyqtar se mund të japë vendime politike. Një seancë më parë, përmes avokatit të tij, Aldo Bare kërkoi largimin e gjyqtares Hajdari për shkak të paragjykimeve politike, duke qenë se gjyqtarja kryesuese e trupës gjyqësore është gruaja e Azem Hajdarit. Pas rrëzimit të kësaj kërkese nga kryetari i gjykatës, startoi procesi penal në ngarkim të të pandehurit Aldo Bare, i kryesuar nga gjyqtarja Hajdari, legjitimiteti i së cilës për drejtimin e seancës u vendos nga kryegjyqtari Hallunaj. Në këtë seancë u kërkua nga i pandehuri shuarja e masës së sigurisë, me argumentimin se prej tri vitesh është mbajtur në paraburgim në Turqi për llogari të drejtësisë shqiptare. Prokurori i çështjes e ka rrëzuar këtë pretendim të avokatit të Bares, duke u shprehur se afatet për të pandehurin kanë filluar ditën që është deportuar nga Turqia drejt Shqipërisë dhe jo në momentin që është vënë në pranga nga policia turke. Pasi dëgjoi pretendimet e palëve, trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari u tërhoq për vendim dhe pas disa minutash deklaroi se kërkesa nuk pranohet, si e pambështetur në ligj. Aldo Bare akuzohet nga organi i akuzës për një sërë vrasjesh, vendosje bombe dhe krijim e drejtim organizate kriminale. Aktualisht ai mbahet i veçuar nga të paraburgosurit e tjerë në qelitë e burgut 313-të. Më tej, avokati Meçi, pasi është konsultuar edhe me klientin e tij të pranishëm në gjyq, kërkoi kohë për t’u njohur me aktet e prokurorisë për të cilat akuzohet Aldo Bare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›