Gjirokastër: Dorëhiqet sekretari i KZAZ, Bernard Aliko
Jep dorëheqjen nga funksioni i sekretarit të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor për rrethin e Gjirokastrës Bernard Aliko. Dorëheqja është bërë sot nga ana e zotit Aliko përmes një deklarate për mediat. Arsyet e këtij vendimi për avokatin e mirënjohur kanë qenë të shumta por mes tyre, dy kanë qenë themelore për të.
Mbingarkesa në proceset e shumta gjyqësore si përfaqësues i palës mbrojtëse në mjaft seanca si dhe shëndeti jo i mirë që gëzon kohët e fundit, kanë detyruar zotin Aliko, të ndërrmerrte një hap të tillë i cili ka befasuar anëtarët e KZAZ-së Gjirokastrës. Pas këtij vendimi që është komunikuar menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore për rrëzimin e pallatit në 9 nëntor të vitit të shkuar, zoti Aliko, ka vënë në dijeni drejtuesit e KZAZ si dhe kreun e partisë që e propozoi të ishte në këtë funksion. Jam i detyruar që të ndërmarr një hap të tillë pasi ngarkesa në impenjimet e mia të përditshme në proceset gjyqësore si dhe shëndeti jo i mirë që gëzoj kohët e fundit, janë arsyet themelore që unë të heq dorë nga funksioni i sekretarit të KZAZ-së Gjirokastrës. Nuk dihet se kush do të jetë pasuesi i Alikos në këtë post por mendohet se mund të jetë një prej drejtueseve të institucioneve publike në jug të vendit ku më i mundshmi është emri i drejtorit rajonal të Tatim-Taksave. Bernard Aliko ka një eksperiencë të gjatë në proceset e administrimeve zgjedhore duke mbajtur funksione drejtuese si sekretar apo nënkryetar i komisioneve zonale zgjedhore duke u zgjedhur nga PD.