PSD në Lezhë, prezanton kandidatin Mark Përlleshi
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, në një takim entuziast me simpatizantë e mbështetës socialdemokratë në qarkun e Lezhës hapi zyrtarisht fushatën zgjedhore në këtë qark, ku prezantoi kandidatin e PSD për zgjedhjet e qershorit 2009 z. Mark Përlleshi. Duke hapur fushatën zgjedhore në qarkun e Lezhës, Gjinushi shprehu bindjen se fitorja do ti takojë së majtës, do ti takojë PSD-së dhe se Lezha dhe PSD janë përcaktuese për fitoren e qershorit.
Ne si parti kemi një rol të veçantë në fitoren e së majtës në kuadër të bashkimit dhe bashkëpunimit të ri me PS, por qarku i Lezhës është ai që do të përcaktojë që e majta të ketë mbi 71 deputetë në zgjedhjet e qershorit, duke mos i dhënë shpresë atyre që presin të bëjnë pazare paselektorale, theksoi Gjinushi. Kryetari Gjinushi i ka bërë thirrje votuesve të majtë të votojnë PSD-në, të votojnë partinë e bashkimit të ri. Bashkimi për ndryshim, bazë e të cilit është bashkëpunimi ynë me PS, u shpreh Gjinushi. Gjatë fjalës së tij, Gjinushi vlerësoi se PSD i ka qëndruar gjithnjë të majtës. PSD nuk ka zhgënjyer asnjëherë votuesit e saj, PSD nuk ka mashtruar dhe PSD e ka luftuar korrupsionin edhe kur ka qenë në qeveri edhe kur është jashtë qeverisë. Ne u kemi thënë votuesve të vërtetën, u shpreh kryetari Gjinushi.