E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Qeverisja nga LSI, përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat për pagat deri në 25 mijë

Koha për bonus jetik, ulje e varfërisë përmes politikave të punësimit
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një takim mjaft entuziast me qindra banorë të komunitetit të Laprakës në Tiranë. Në këtë takim ku shoqërohej nga krerët e LSI-së së Tiranës, Meta ka shpalosur pjesë të rëndësishme të programit qeverisës të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Duke shprehur entuziazmin e tij në këtë takim, Meta u shpreh i bindur për suksesin e LSI-së në zgjedhjet e 28 Qershorit, sepse sikurse u shpreh ai, kjo bindje forcohet gjithnjë dhe më shumë kur shikon  në takimet e zhvilluara në të gjithë Shqipërinë, dhe sidomos sot në Laprakë, jo vetëm njerëz që e kanë mbështetur LSI-së që ditën e parë të krijimit, por shikon çdo ditë dhe më tepër të rinj dhe të reja që afrohen gjithnjë dhe më shumë me këtë forcë politike. Sipas tij, kjo ndodh natyrshëm, sepse LSI-ja është një forcë politike integruese, është një forcë politike e cila është pranë problemeve dhe shqetësimeve më të mëdha të komunitetit. Duke iu kthyer problemeve të këtij komuniteti, Meta u shpreh se unë e di shumë mirë që komuniteti juaj ka probleme të shumta dhe të pazgjidhura, prandaj edhe LSI-ja është e angazhuar për të zgjidhur problemet më të mëdha dhe më të prekshme që ka komuniteti këtu në Laprakë, por gjithashtu ajo është e angazhuar për të zgjidhur çdo problem jo vetëm këtu në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Duke vijuar fjalimin, Meta vuri në dukje se vendi është në një situatë krize, e cila është e gjithanshme, duke filluar që nga kriza energjitike dhe ku zhurmat e gjeneratorëve nuk rreshtin asnjë dite, dhe përfunduar tek kriza më e fundit që është ajo e kartave të identitetit. Krizë që nga rritja e çmimeve deri tek papunësia, e cila vjen si rezultat i falimentimit të bizneseve, tha ai. Duke i qëndruar këtij argumenti, Meta ka shtuar se këtë situatë kaq emergjente e ka deklaruar dhe një nga institucionet më prestigjioze ndërkombëtare sikurse është PNUD-i, që mbi një milionë njerëz në Shqipëri jetojnë nën minimumin jetik, jetojnë në kufijtë e varfërisë dhe nuk përballojnë dot jetesën e përditshme. Ndaj dhe LSI-ja është e angazhuar në radhë të parë për të ndihmuar shtresat më të pambrojtura të shoqërisë, sepse kjo është dhe detyra e një forcë të majtë, dhe e një force progresiste, u shpreh Meta. Ish-kryeministri Meta shprehu bindjen se LSI-ja ka një plan të qartë për të përballuar këtë krizë në të cilën ndodhet vendi, dhe për ti ardhur në ndihmë shtresave me të ardhura më të pakta të shoqërisë sonë. Ndër të tjera, duke ju drejtuar qindra të pranishmëve në këtë takim, Meta i garantoi atyre se LSI-ja ndryshe nga partitë e tjera ka një program të qartë të cilin do e vërë në jetë pas 28 Qershorit. Si ekonomist dhe si politikan, unë dua tju siguroj që ne kemi një plan të qartë konkret dhe të efektshëm për ti ardhur në ndihmë kësaj kategorie. Në këtë drejtim ne do të rishikojmë politikën e taksave për të ardhurat e individit, duke përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat të gjitha pagat deri në 25 mijë lekë të reja në muaj, premtoi Meta.  Më pas duke shpjeguar programin e LSI-së, Meta tha se, LSI-ja është e vendosur të ndjekë politika të tjera të cilat kanë të bëjnë me uljen e ndjeshme të TVSH-së sidomos për dymbëdhjetë produktet bazë të ushqimit, gjë që do ndihmojë në uljen dhe në stabilizimin e çmimeve. Por ajo që është më e rëndësishme për ish-Kryeministrin Meta, janë politikat që LSI-ja do të ndjekë për të ulur varfërinë përmes politikave të punësimit. Sipas tij, kjo është sfida më e madhe, dhe kjo sfidë kërkon në radhë të parë gjallërimin e biznesit. Për çdo vend të ri pune që do të krijohet, ne do të stimulojmë në mënyrë konkrete biznesin duke e lehtësuar nga taksat dhe tatimet. Për çdo vend të ri pune, ne do të shprehim mirënjohjen tonë biznesit vendas apo të huaj jo me fjalë, por me politika konkrete, tatimore dhe fiskale, u shpreh ai. Meta shprehu sigurinë se me politika konkrete dhe me vepra konkrete, LSI do të arrijë që ti japë mundësi të gjithë shqiptarëve, që sot janë të përjashtuar nga kjo e drejtë. Është koha për bonus jetik, që është programi ynë kundër varfërisë në të gjitha drejtimet, që nga dyfishimi i ndihmës ekonomike, që nga miratimi i ligjit për moshën e tretë, që nga transporti urban dhe ndërurban dhe deri tek rimbursimi i ilaçeve dhe shërbimeve të tjera, apeloi Meta.  Duke qenë se Është Koha për Veprim, Meta iu kërkoi të pranishmëve të votojnë për LSI-në.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›