E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Vota nuk mund të shitet dhe as të blihet

Partia Socialiste ka shprehur sërish shqetësimin e saj për taksën e votës. Opozita  vazhdon të këmbëngulë, që kryeministri Sali Berisha të reagojë ndaj propozimit të saj, duke hequr menjëherë taksën e votës. Kjo deklaratë ka ardhur nëpërmjet Sekretarit Organizativ në PS, Blendi Klosi. Ai theksoi se vota është një e drejtë dhe jo një shërbim dhe si e tillë e drejta e votës as nuk mund të shitet e as nuk mund të blihet. Vota është një e drejtë të cilën duhet të kenë mundësi ta ushtrojnë të gjithë, falas. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vota është falas. Në vendet e Bashkimit Europian, vota është falas. Në Shqipëri, vota sot nuk është falas, u shpreh Klosi, duke theksuar se liria nuk duhet të kushtojë, në asnjë vend të botës, as në Shqipëri. Sipas tij, kryeministri Berisha po luan rolin e shurdhit, duke mos i dëgjuar kërkesat e opozitës, shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të hequr taksën e votës. Nëse kjo qeveri do të vazhdojë të aplikojë taksën e votës, do të marrë mbi vete dështimin e shkatërrimit të një procesi zgjedhor, vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, tha Klosi, duke shtuar se kanë ngelur 68 ditë për të provuar se Shqipëria di të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat nuk mund të jenë kurrsesi të tilla nëse qeveria shqiptare do vazhdojë të aplikojë taksën e votës. Deputeti Klosi shprehu shqetësimin se ndërkohë që na ndajnë 68 ditë nga zgjedhjet e qershorit, ende jemi larg kushteve të nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas tij, në këto 68 ditë më shumë se 500 mijë votues mbeten pa mjet identifikimi dhe si pasojë të përjashtuar nga e drejta për të votuar. Në vitin 2009, qeveria shqiptare aplikon taksën e votës mbi votuesit e saj. Një taksë e cila i privon votuesve shqiptarë të drejtën e tyre, të sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Të drejtën e votës, u shpreh Klosi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›