E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minxhozi: Rruga e Arbërit, premtimi i pambajtur i kësaj qeverie

Deputeti socialist Qemal Minxhozi ka akuzuar qeverinë se nuk ka mbajtur premtimin e saj për ndërtimin e rrugës së Arbërit. Minxhozi bën të ditur se para 2 vjetësh u alokuan fondet për 3 lote në një segment prej 17.3 km. U hartuan planet dhe grafikët e rastit të cilët nuk u zbatuan kurrë. Sipas tij, ritmet e rrugës janë të ulëta, shpronësimet e bëra kanë qenë me probleme, pasi shteti nuk ka dëmshpërblyer të gjithë pronarët, ka zëra ekspertësh që në disa segmente nuk është mbajtur parasysh segmenti i rrugës reale të Arbrit, pasi ka vetëm zgjerim rruge. Gjithashtu, ai tha se ishte folur që rruga do të vijonte edhe në drejtim të Matit dhe Tiranës. Por siç bën të ditur deputeti Minxhozi, nuk po përfundon segmenti që ka filluar. Partia Demokratike ka hyrë në fushatë elektorale, duke dhënë disa miniprojekte rrugësh e fshatrash në Qarkun e Dibrës me gjatësi 2-4 km, u shpreh Minxhozi, duke shtuar se përpara se të bëjë këtë, ajo të financonte riparimin dhe asfaltimin e rrugës Milot Bulqizë, një aks i rëndësishëm, që u shërben 185 mijë banorëve të rretheve, Mat, Bulqizë e Dibër. Lidhur me rrugën Milot-Bulqizë, Minxhozi i kërkoi qeverisë që të penalizojë firmat që kanë punuar para një viti në riparimin apo asfaltimin e 15 km rrugë. Puna pa përgjegjësi është mëse evidente po kaq evident është dhe korrupsioni, cilësia lë shumë për të dëshiruar, tha deputeti socialist. Ai theksoi se në programin e qeverisë të maxhorancës, rruga e Arbrit përbënte një prioritet në investimet në zonën veri-lindore të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›