Koplik, Rama: Bashkimi ynë do ti japë fund politikës së vjetër
Kryetari i PS, Edi Rama ka qenë në Koplik të Malësisë së Madhe i ka bërë thirrje malësorëve që të bashkohen përtej të majtës dhe të djathtës, për një politikë të re që i jep fund dasisë dhe sherreve në emër të së shkuarës dhe hap një faqe të re komunikimi dhe respekti të ndërsjelltë mes nesh, në shërbim të së ardhmes tonë.
Sipas tij, politikanët tanë të vjetër e kanë katandisur jetën politike në një shfaqje vulgare akuzash, shpifjesh dhe fyerjesh, ku për pushtetin e disave, sakrifikohen prej 18 vitesh, shpresat dhe interesat e të gjithëve, duke i ndarë shqiptarët djathtas e majtas, jo në emër të vizioneve, ideve, programeve për të ardhmen, por në emër të tifozllëkut të urrejtjes, që e ka ushqyer për 18 vjet rresht me urrejtjen e së shkuarës, kjo politikë e së vjetër na ka tërhequr zvarrë për 18 vjet, në një lojë që mund ta luajnë vetëm politikanët dhe që e paguajnë vetëm qytetarët. Kryetari socialist ka prezantuar me kënaqësi të madhe një pjesë të programit të PS. Duke dëgjuar hallet dhe dëshirat e shqiptarëve në realitetet e vështira të vendit tonë, Rama tha se PS mbajti shënime, sugjerime dhe ide të reja për të ardhmen. Ne e hapëm Dialogun me Shqipërinë, duke i dhënë zë qytetarëve dhe qytetareve, që prej 18 vjetësh vuajnë ligjet e këqija dhe vendimet e padrejta të politikës së vjetër, u shpreh Rama, duke shtuar se për 18 muaj me radhë, ne e nxorëm politikën nga kutia e televizorit dhe e çuam në qytete e fshatra, nga veriu në jug, pranë mësuesve dhe bujqërve, sipërmarrësve dhe të papunëve. Ai vlerësoi se PS, e kthyem në një hapësirë publike për qytetarët, që kanë të gjithë një histori për të treguar dhe që sot më shumë se kurrë duan vendin e munguar prej 18 vjetësh në vëmendje të të përfaqësuese të tyre. Këta 18 muaj kanë qenë për mua një mësim i paçmueshëm dhe një eksperiencë e paharrueshme. Kam takuar dhjetëra mijëra njerëz dhe kam dëgjuar historitë e tyre jetësore, kam parë nga afër varfërinë, analfabetizmin, përjashtimin social, shkatërrimin mjedisor dhe kam prekur plagën e thellë të dasisë dhe të sherrit që politika e vjetër e 18 viteve, që politika e vjetër ka hapur deri në fshatin më të largët, duke nxitur mërinë dhe motivuar hasmërinë mes njerëzve, u shpreh Rama, duke iu drejtuar malësorëve të Koplikut. Sipas tij, kjo politikë e vjetër ka mundur të mbijetojë pavarësisht premtimeve të saj pambajtura dhe zullumeve të saj të papërmbajtura, duke e kthyer politikën nga një mision ndryshimsjellës për shoqërinë, në një aktivitet fitimprurës për një grusht njerëzish.