Gjirokastër; Shembja e pallatit, avokatët kërkojnë pafajësi për të pandehurit
Pafajësi kanë kërkuar avokatët e të pandehurve të akuzuar si shkaktarë për shembjen e pallatit në Gjirokastër. Avokatët kanë renditur argumentet e tyre pse të pandehurit nuk janë të përfshirë në tragjedinë e ndodhur, se pse nuk janë fajtorë. Ata kanë thënë fjalën e fundit para se togat e zeza të japin verdiktin përfundimtar në datën 10 nëntor. Një seancë më parë, prokuroria kërkoi dënimin me 30 vite burg për të pandehurit dhe masa më e rëndë e dënimit u kërkua për administratorin e “Arti” sh.p.k., Sotiraq Janora, përkatësisht 21 vite burg. Për Afërdita Papamihalin, sekretaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe dënimin e saj me 3.6 vjet burg. Edhe për të pandehurit Admir Shehajn e Alfred Mamanin, Prokuroria kërkoi dënimin e tyre me 3.6 vjet burg, ndërsa i kërkoi gjykatës 3 vjet për inxhinierin e firmës, Gjergji Meçe. Akuza kërkoi dënimin me 1 vit burg për Leonard Mustafarajn dhe Petrit Maksutin, punonjës të Policisë Bashkiake. Gjykata e shtyu seancën për më 2 nëntor, ku do të dëgjohet dhe fjala e fundit e palës mbrojtëse dhe më pas trupi gjykues do të tërhiqet për të marrë një vendim përfundimtar mbi të pandehurit e tragjedisë së 9 nëntorit. Fill pas kësaj ngjarjeje presioni në rritje nga policia dhe komuniteti ka detyruar pronarin tjetër të firmës së ndërtimit “Arti” sh.p.k., që të dorëzohet në polici. Shtetasi Aristotel Haxhi është paraqitur vetë në mjediset e komisariatit. Mesditën e së dielës, më 9 nëntor të vitit të kaluar, një pallat 5-katësh në lagjen “11 janari” në qytetin e Gjirokastrës u shemb pjesërisht, duke shkaktuar vdekjen e tre personave, ndërsa tre të tjerë u plagosën.