E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, mungesa e gjyqtares shtyn gjyqin për dy ditë

03/11/2009  Hajdari ndodhej jashtë shtetit

TIRANË- Këtë radhë procesi nuk u shty për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, ashtu si është bërë zakon. Ishte gjyqtarja Fatmira Hajdari, anëtare e trupit gjykues, e cila kishte lajmëruar se ndodhej jashtë vendit për arsye personale. Mungesa e Hajdarit bëri që procesi të mos zhvillohej, ashtu si ishte planifikuar. Gjyqtari Ridvan Hado njoftoi dje se seanca e radhës do të zhvillohet në datë 4 nëntor. Pas këtij njoftimi ai bëri të ditur se në rast të mosparaqitjes së gjyqtares Fatmira Hajdari do të bëhet zëvendësimi me një tjetër gjyqtarë. Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm të gjitha palët. Avokatët mbrojtës të të pandehurve dhe prokurorët e çështjes, theksuan se të tilla shtyrje ku shkak bëhen gjyqtarët nuk duhet të ekzistojnë. Çdo gjë sipas avokatëve dhe prokurorëve duhet të shqyrtohet paraprakisht. Dje gjykata do të fillonte shqyrtimin e provave të akuzës. Dëshmitarët do të jenë të parët që do të tregojnë për pozicionin që kanë pasur të pandehurit në punën e tyre dhe për arsyen që solli në tragjedinë e 15 marsit 2008. Janë rreth 300 dëshmitar që do të sillen në gjykatë për tu pyetur. Në këtë proces janë të arrestuar dhe po gjykohen për vrasje masive, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxholli e Sokol Ngjeçi. Pjesa tjetër e të pandehurve që janë pothuaj të gjithë ushtarak akuzohen për shpërdorim detyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›