E Diel, 1 Nëntor 2026

Filloi punën drejtori i ri i QKU-së

Drejtori i sapozgjedhur i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e ka filluar edhe zyrtarisht të martën detyrën e re, ndërsa theksoi se do të vazhdojë punën e bërë deri më tani dhe do të angazhohet për përmirësime të vazhdueshme në QKUK.

Gjatë dorëzim-pranimit të detyrës kanë marrë pjesë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe personeli drejtues i QKUK-së.

Drejtori në largim i QKUK-së, Jusuf Ulaj e ka njoftuar drejtorin e ri me punën e deritanishme, sukseset, por edhe problemet dhe për sfidat që e presin në të ardhmen institucionin më të madh shëndetësor në vend.

Ulaj kujtoi se kur ka pranuar pozitën e drejtorit, ka hasur në shumë probleme, përderisa për 2 vite sa ka qenë drejtor ekzekutiv është përmirësuar në një masë mjaftë të mirë gjendja.

Ndërkaq, drejtori i ri ekzekutiv i QKUK-së, Ali Sadriu pasi falënderoi Ulajn për punën e deritanishme dhe për angazhimet e tij, theksoi do të vazhdojë të angazhohet që të ketë përmirësime të vazhdueshme në QKUK.

Ai tha se ka marrë detyrën e drejtorit me qëllimin e vetëm që të ndikojë në përmirësimin e vazhdueshëm të gjendjes në QKUK, gjithherë me përkrahjen edhe të instancave më të larta të vendit.

Ndërkohë, gjatë ditëve në vijim pritet që drejtori i ri Ali Sadriu para Kolegjiumit Profesional të QKUK-së të shpalosë strategjinë dhe programin e tij për këtë institucion.

Drejtorin e QKUK-së, e ka zgjedhur ditë më parë Paneli intervistues në Ministrinë e Shëndetësisë, i cili është bazuar në Ligjin mbi Shërbimin Civil në Kosovë, Urdhëresën Administrative për zbatimin e këtij ligji, Udhëzimin Administrativ 2003/1 dhe në Statutin e QKUK-së.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›