U mori biznesmenëve 4 milionë euro, në gjyq 25-vjeçari
MASHTRIMI/ Dosja e Indrit Aliut është dorëzuar në gjykatë, teksa pritet që të hidhet shorti e të fillojë procesi
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit ka dorëzuar në gjykatë dosjen penale në ngarkim të "super mashtruesit" Indrit Aliu, mbi të cilin rëndon akuza e "mashtrimit" me pasoja të rënda, pasi mendohet se ka përfituar rreth 4 milionë euro nga biznesmenë të ndryshëm.
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, që theksuan se 25-vjeçari është hetuar në mungesë, pasi rezulton se ka dalë jashtë territorit shqiptar më 16 mars 2009, vetëm tre ditë pasi ndaj tij është kryer kallëzimi i parë penal.
Ndërkohë, pas datës 13 mars 2009 e deri dy ditë më parë, kur prokuroria ka mbyllur fazën hetimore, ndaj vlonjatit janë depozituar nëntë kallëzime të ndryshme, nga biznesmenë, kryetarë komunash apo edhe menaxherë të kompanive të ndryshme.
Sipas prokurorisë, i pandehuri Aliu ka përdorur të njëjtën skemë mashtrimi, duke u hequr si administrator i një kompanie të madhe ndërtimi, duke marrë kështu punë nënkontraktuale për ndërtimin e rrugëve të ndryshme.
"Nga hetimet gati 7-mujore është arritur në përfundim se i pandehuri Indrit Aliu ka hartuar kontrata me shoqëri të ndryshme sipërmarrëse për kryerjen e punimeve të ndryshme ndërtimore, duke marrë pagesa nga këto shoqëri në formën e sigurimit të kontratës dhe duke mos i likuiduar ato më pas për punimet e kryera.
Veprimet e kryera nëpërmjet gënjeshtrës në formën e mësipërme ndaj shtetasve kallëzues, janë kryer nga Indrit Aliu me qëllim të përfitimit material, por edhe nga fakti se ky shtetas pasi ka marrë shumat e parave është larguar duke mos i kthyer më",- thuhet në kërkesën për gjykim.
Sipas kësaj dosjeje, kallëzimi i parë ndaj Aliut është dorëzuar nga një firmë ndërtimi, e cila e kishte fituar tenderin për kryerjen e rikonstruksionit dhe rehabilitimit të rrugës Sinanaj-diga e HEC Kalivaç, Komuna Lopes, Qarku Gjirokastër, me vlerë të kontratës 7 milionë euro.
Nga kjo firmë Aliu ka përfituar rreth 500 mijë euro, të cilat i ka marrë me anë të mashtrimit dhe presionit se, nëse nuk paguanin, do të prishte kontratën. Gjithashtu, 25-vjeçari ka marrë një makinë nga kompanitë tregtare që operojnë në vend të cilën nuk e ka paguar dhe as kthyer, por mendohet se e ka shitur e më pas është zhdukur.
Prokuroria ka zbardhur edhe kallëzimin e një administratori të një kompanie, i cili kishte kontraktuar kompaninë e 25-vjeçarit për të kryer punimet e rrugës së fshatit Dishnicë me vlerë 70 milionë lekë, të komunës Bulgarec Korçë.
Më pas po me anë të këtij administratori vlonjati Aliu ka nënshkruar kontrata për rikonstruksionin e Bashkisë së Librazhdit, si dhe për tre rrugë të tjera në Librazhd dhe komunën për rreth saj që kapnin shifrën e 1 milionë eurove.
Në ditët në vazhdim, po ky administrator i ka ofruar 25-vjeçarit një tender tjetër për ndërtimin e rrugës në komunën Lopes në Tepelenë, me vlerë 7 milionë euro.
Gjithashtu, ndaj të pandehurit janë zbardhur edhe katër kallëzime të tjera, për të njejtën skemë mashtrimi, ku vlonjati ka marrë si parapagim sigurimin e kontratës në 3% të vlerës dhe në disa raste deri në 30 % të të gjithë vlerës së tenderit.
Në kontrollet e banesave ku kishte qëndruar Aliu janë gjetur dokumente që provonin shumat e marra prej tij, por gjithashtu vetë biznesmenët kanë dorëzuar faturat e firmosura nga Aliu.
Rezulton se 25-vjeçari me datë 16 mars 2009 ka kaluar në Maqedoni nga pika e kalimit kufitar të Qafë-Thanës dhe që nga ajo ditë është shpallur në kërkim ndërkombëtar me masën e sigurisë dhënë në mungesë "arrest me burg".
Ndaj tij rëndon akuza e "mashtrimit" e parashikuar në nenin 143 dhe vepra penale e parashikuar në nenin 143\a "skemat mashtruese piramidale", që, nëse rezulton fajtor, rrezikon të dënohet nga tre deri në 20 vjet burg.
AKUZAT
Neni 143
Mashtrimi
Vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Neni 143/a
Skemat mashtruese dhe piramidale
Organizimi dhe vënia në funksionim e skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes, me qëllim fitimi material, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.