E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Tisas, identifikohet çifti Mirena

(Update) Identifikohen trupat e pajetë të Rrahim Mirenës dhe Valbona Mirenës, nga Obiliqi, çiftit bashkëshortor të mbytur në tragjedinë e lumit Tisa.

Të afërmit e familjes Mirena kanë konfirmuar për Express se ata kanë identifikuar të dashurit e tyre, duke u bazuar në fotografitë e dërguara nga policia.

Këto dy viktima janë gjetur gjatë fundjavës së bashku edhe me një fëmijë të moshës 1 vjeç, identiteti i të cilit ende nuk dihet.

Përveç bashkëshortëve Mirena, në këtë tragjedi kanë humbur jetën edhe tre vajzat e tyre, Doruntina 8 vjeç, Dafina 6 vjeç dhe Agnesa 2 vjeç.

Deri më tash dyshohet se nuk janë gjetur edhe trupat e pajetë të pesë të tjerëve, një gruaje me dy fëmijët e saj, dhe dy fëmijë të familjes Ademi nga komuna e Vushtrrisë.

Edhe tre të tjerë

Listës së gjatë të viktimave të tragjedisë në lumin Tisa, u shtohen edhe trupat e pajetë të tre personave të tjerë.

Për shkak se rrjedha e lumit është nga Hungaria në drejtim të Vojvodinës në Serbi, atëherë edhe këto kufoma, sikurse pesë të mëhershmet, janë gjetur në territorin serb.

Me gjetjen e këtyre tre trupave, numri i kufomave të gjetura deri më tash, arrin gjithsej në 11 veta, prej të cilëve tetë në Serbi dhe tre në Hungari.

Gjetjen e këtyre tre trupave gjatë fundjavës, e konfirmojnë për Express edhe zyrtarë të Policisë së Hungarisë, por pa dhënë shumë detaje.

Gjatë fundjavës, tre trupa të pajetë janë gjetur në lumin Tisa, në territorin e Serbisë. Prandaj për më shumë detaje, ju lutemi kontaktoni Policinë e Serbisë, thotë Silvana Tucakov nga policia hungareze.

Ndërkohë, për gjetjen e këtyre tre trupave kanë njoftuar edhe mediet serbe, të cilat i referohen Erne Berenjit, gjyqtarit hetues në Gjykatën Komunale në qytetin e Kanjizhes.

Sipas të dhënave të organeve hetuese të publikuara nga këto media, trupi i një mashkulli, është gjetur të shtunën afër qytetit Senta në Serbi.

Gjithashtu, të dielën paradite, afër lokalitetit Adorjan të komunës Kanjizha, nga lumi është nxjerrë një trup pajetë i një fëmije.

Në të njëjtën kohë, të dielën, afër Novi Knezhevcit, peshkatarët kanë gjetur trupin e pajetë të një gruaje të moshës 20 deri 30 vjeç.

Por, derisa gjetja e dy trupave të rritur të këtij rasti ende nuk është konfirmuar nga autoritetet në Kosovë, për gjetjen e fëmijës, ka njoftuar edhe Policia në Prishtinë.

Në orët e pasdites të së hënës, Policia e Kosovës e ka konfirmuar edhe zyrtarisht gjetjen e trupit të një fëmije të moshës njëvjeçare.

Më datën 2 nëntor, kemi pranuar informatën nga EULEX-i se autoritetet e Serbisë kanë gjetur trupin e një fëmije njëvjeçar. Identifikimi i këtij trupi është në proces, thotë Policia.

Deri më tash, numri i viktimave të konfirmuara të rastit tragjik në lumin Tisa, sipas Policisë së Kosovës, është nëntë persona.

Deri më tash, gjashtë janë gjetur nga autoritet e Serbisë dhe tre nga autoritetet e Hungarisë, thotë policia, në njoftimin e tyre zyrtar për media.
Në këtë tragjedi, janë dy familje që kanë pësuar shumë rëndë, e të cilat së paku nga një fëmijë e kanë afërsisht të moshës së njëjtë, me atë të gjetur në lumin Tisa.

Janë familja Mirena nga Obiliqi, e cila dyshohet se është shuar tërësisht, ku vdekjen kanë gjetur prindërit dhe tre fëmijët si dhe ajo Ademi nga Vushtrria, ku jetën kanë humbur prindërit dhe dy fëmijët.

Sipas të dhënave të të afërmeve të tyre, njëri nga fëmijët e familjes Mirena, është i moshës rreth 2-vjeçare, ndërkohë që fëmija i dytë i familjes Ademi, është i moshës 11 muajsh.

Derisa nga familja Mirena ende nuk është gjetur asnjë prej anëtarëve të saj, ajo Ademi në Vushtrri ka identifikuar dhe varrosur të dy prindërit, Florim dhe Elfete Ademi, ndërkohë që të zhdukur konsiderohen ende dy fëmijët e tyre.

Nuk dimë ende asgjë. Kemi të pame të madhe. Askush nuk na ka thënë asgjë dhe nuk na ka ndihmuar për asgjë, thotë Selatin Ademi, axha i Florimit të ndjerë.

Sipas Selatinit, ata vetë kanë shkuar në Serbi, i kanë identifikuar kufomat e të afërmeve të tyre dhe i kanë sjellë ato në Kosovë, pa u ndihmuar askush.
Janë edhe dy fëmijët e Florimit që nuk janë gjetur, njëri 11 muajsh e tjetri 4 vjeç, shpjegon ai për Express.

Selatini tregon se identifikimi i djalit të vëllait është bërë duke u bazuar në rrobe dhe numrin e telefonit që i është gjetur në xhep, me të cilin ata kanë komunikuar me të.

Gruaja e tij nuk ka qenë vështirë të identifikohet, sepse nuk i ka rënë të qëndrojë shumë gjatë në ujë, shpjegon Selatini i mërzitur.

Ndërkohë, sipas autoriteteve serbe, po punohet në identifikimin e trupit të pajetë të një vajze të moshës rreth dhjetë vjeçe, e cila afër Adorjanit është gjetur më 27 tetor, si edhe të vogëlushit të moshës njëvjeçare, të gjetur të dielën në vendin e njëjtë.

Kështu, sipas urdhëresës të gjyqtarëve hetues të gjykatave komunale në Senta, Kanjizha dhe Novi Knezhevac, trupat e të mbyturve janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Gjyqësore në Novi Sad.

Policia

Express ka kontaktuar zyrtarë të Policisë së Hungarisë të sqarojnë se hetimet në lidhje me këtë rast të rëndë ende janë duke vazhduar. Ata nuk japin ndonjë sqarim nëse kanë arrestuar dikë në lidhje me këtë tragjedi. Ndërkohë, Policia e Kosovës shpjegon se hetimet janë duke vazhduar dhe përveç atyre katër personave ndaj të cilëve është lëshuar fletarrestimi, ende nuk ka ndonjë informacion shtesë që mund të publikohet.

Qeveria

Qeverisa e Kosovës bëri të ditur se kryeministri Hashim Thaçi ka marrë vendim që të ndajë nga dhjetë mijë euro për secilën familje. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë e përkushtuar thellësisht që në bashkëpunim me institucionet përkatëse ndërkombëtare të marrë të gjitha masat e duhura që të gjenden shkaktarët e vërtetë të tragjedisë dhe ata të përgjigjen para drejtësisë, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës. Po ashtu thuhet se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare për zbardhjen e fatit edhe të qytetarëve të tjerë kosovarë, për të cilët ende nuk ka asnjë informacion.

Ambasadori

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Michael L. Giffoni i ka dërguar presidentit Sejdiu një telegram ngushëllimi me rastin e tragjedisë në lumin Tisa. Në këtë ditë pikëllimi për Republikën e Kosovës, dua tju shpreh - gjithashtu edhe në emrin e presidentit të Italisë, Shkëlqesisë së tij, Giorgio Napolitano - juve si kryetar shteti dhe familjeve të viktimave, ngushëllimet dhe solidaritetin më të thellë për tragjedinë e cila ka ndodhur në lumin Tisa, shkruan Giffoni.

PLS

Edhe Partia Liberale Serbe ka ngushëlluar familjarët e atyre që humbën jetën në tragjedinë në lumin Tisa. Me keqardhje dhe hidhërim të thellë kuptuam për ngjarjen e hidhur dhe tragjike në lumin Tisa, me çrast humbën jetën bashkëqytetarët tanë. Në emër të Partisë së Pavarur Liberale, ju lutem pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta dhe më të thella për të gjithë familjarët që humbën më të dashurit e tyre duke kërkuar një jetë më të mirë, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›