E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 18-vjeçarit hajdut, kreu tre vjedhje

KAVAJË - Arrestohet në Kavajë autori i dyshuar për realizimin e disa vjedhjeve seriale në qytetin e Durrësit. Blutë e Kavajës, pas kërkesave të bëra nga Durrësi, kanë vëzhguar dhe më pas arrestuar 18-vjeçarin Agron Seferi.


Sipas njoftimit, adoleshenti i lindur në fshatin Luz i Vogël Kavajë dhe banues prej pak kohësh në lagjen 13 Durrës, dyshohet të jetë autor për tre vjedhje të kryera në Durrës në bashkëpunim.


Pas arrestimit dhe transferimit në Durrës, 18-vjeçari ka pranuar para oficerëve të policisë gjyqësore se ai ka kryer disa vjedhje, si dhe ka deklaruar se këto vjedhje nuk i ka kryer i vetëm, por me një shok të tij, me të cilin ka qenë ortak.


Mësohet se ai akuzohet për vjedhjen e një minimarketi dhe një lokali në lagjen ku jetonte, si dhe vjedhjen e një dyqani në lagjen nr.5 të Durrësit. 18-vjeçari Seferi është me arsim 2 klase dhe rezulton të ketë precedentë penalë pasi sipas policisë ai ka qenë dënuar më parë për "armëmbajtje pa leje". Ndërkohë mësohet se në pranga për "armëmbajtje pa leje" ka përfunduar 28-vjeçari Sokol Baruti.


Kapet me 2,8 g heroinë, nën akuzë për trafik droge


ELBASAN - Akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike pasi ju gjet 2,8 gram pluhur i dyshimtë në banesë.


Seksioni kundër narkotikëve në drejtorinë e policisë së qarkut Elbasan ka arrestuar Olsi Leskon, 28 vjeç, me banim në lagjen "5 Maji" Elbasan pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në banesë, në njërën nga dhomat iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy pako brenda të cilave gjendej një mase lënde në formë pluhuri me ngjyrë kafe të çelur, e cila, sipas ekspertëve për nga karakteristikat ngjason me atë të lëndës narkotike e llojit heroinë. Pluhuri do t'i nënshtrohet analizave të mëtejshme.


Gjendet 17-vjeçarja e zhdukur para një muaji


ELBASAN - Gjendet një adoleshente e zhdukur prej 1 muaji. Shërbimet e policisë në Elbasan kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e 17-vjeçares me inicialet M.K. me banim në fshatin Bujaras të komunës Gjergjan në Elbasan, pasi ishte shpallur në kërkim që më 2 tetor.


E reja ishte larguar nga banesa pa lënë asnjë gjurmë. Familjarët kanë kryer kërkime private dhe kur kanë humbur shpresat, i janë drejtuar për ndihmë policisë duke depozituar kallëzim penal.


Policia ka shpërndarë foton e vajzës dhe është vënë në kërkim të saj. M.K. u gjet në një banesë në periferi të Elbasanit. Ajo ka deklaruar në polici se është larguar me dëshirë nga shtëpia pas një konflikti me familjarët. Largimet nga banesa janë kthyer në gjëra të zakonshme për të rejat në Elbasan.


Levan, vidhet kabineti i informatikës në shkollën 9-vjeçare


FIER - Vidhet një kabinet informatike në shkollën 9-vjeçare të komunës Levan. Sipas drejtuesve e fundit, kjo shkollë është vjedhur dy herë, ndërsa shënjestëra e vjedhësve ka qenë kabineti i informatikës, si dhe baza materiale, të cilat kanë vlera të mëdha. Në këtë shkollë 9-vjeçare mësojnë rreth 600 nxënës të sistemit 9-vjeçar dhe afro 280 nxënës të fillores.


Vjedhja e 12 kompjuterave është konstatuar mëngjesin e së hënës. Dera kryesore e këtij kabineti ishte e hapur, ndërkohë që të gjithë kompjuterat mungonin. Për këtë rast dhe për të tjerat është njoftuar edhe policia por deri tani nuk ka autor. Në pyetje janë marrë mësues dhe nxënës të kësaj shkolle.


Ekspertët e policisë lidhur me këtë ngjarje janë shprehur se vjedhësit fillimisht kanë thyer xhamin e dritares së klasës së kabinetit dhe më pas kanë hapur derën kryesore të saj dhe kanë dalë prej saj lirshëm pa u diktuar nga askush.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›