E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk i vrava unë 2 bashkëfshatarët, por Gjekë Narkaj

31/03/2009  Ardian Narkaj rrëfen në seancën e fundit

SHKODER- Tregon emrin e autorit të vrasjes së dyfishtë në pritje të dhënies së vendimit me burgim të përjetshëm. Ardian Narkaj dje në seancën e fundit gjyqësore karshi tij për vrasjen e dy shtetasve nga Shkodra ka rrëfyer se nuk ka qenë ai autori, por kushëriri i tij, Gjekë Narkaj. Që në fillim të fjalës së tij, Ardjan Narkaj ka theksuar se edhe në seancat e tjera ka insistuar në pafajësinë e tij në lidhje me krimin e kryer, por tashmë do të tregonte autorin dhe ngjarjen e ndodhur. Sipas Ardjan Narkaj, kushëriri i tij Gjekë Narkaj është autori i vrasjes së dy shtetasve Tonin Ulaj dhe Gjergj Shota. “Natën e ngjarjes sqaroi Narkaj, ai nuk kishte qenë i armatosur. Në bazë të rrëfimit të të akuzuarit, dy shtetasit Tonin Ulaj dhe Gjergj Shota të shpallur në kërkim nga policia, e kishin akuzuar shtetasin Ardjan Narkaj se ai i kishte spiunuar në polici për një ngjarje të ndodhur në zonën e tyre. Këto akuza kishin ardhur pasi shtetasi Gjekë Narkaj kishte nxjerrë një thashethem se Ardian Narkaj kishte qenë spiuni. Pas këtyre akuzave i akuzuari Ardian Narkaj kishte kërkuar takim për sqarim me dy shtetasit Ulaj dhe Shota. Pasi kishin pirë kafe dhe ishin sqaruar në një klub të fshatit, ishin nisur për të shkuar në shtëpi. Rrugës i ka dalë i armatosur shtetasi Gjekë Narkaj, i cili kishte zënë pritë. Po sipas rrëfimit të të akuzuarit, shtetasit Ulaj dhe Shota e kishin përdorur si peng dhe mburojë ndaj shtetasit Gjekë Narkaj, por ky i fundit kishte qëlluar në drejtim të tyre në një moment. Plumbat kishin vrarë Tonin Ulajn dhe Gjergj Shotën, ndërsa Ardjan Narkaj ka mbetur i plagosur në vendngjarje. Në fund të rrëfimit të tij Ardjan Narkaj ka theksuar se për këtë ngjarje ka dhe dëshmitarë të tjerë, të cilët ia ka dhënë dhe trupit gjykues. Më pas mbrojtja e Ardjan Narkajt ka kërkuar kohë për rivlerësimin e diskutimeve përfundimtare, pasi tashmë ishte krijuar një situatë krejt tjetër, ndryshe nga akuzat e Prokurorisë. Ndërsa avokati i Gjekë Narkajt ka kërkuar nga trupi gjykues, që të mos pranohet deklarimi i të akuzuarit kryesor të ngjarjes, Ardjan Narkaj, në kuadër të gjykimit të shkurtuar të çështjes dhe të jepej dënimi sipas gjendjes që janë aktet dhe deklarimet e mëparshme. Nga ana e tij trupi gjykues ka vendosur shtyrjen e seancës për dhënien e vendimit përfundimtar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›