Bujar Nishani; Vendi ynë ka një regjistër elektronik të sigurt
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka kërkuar nga krerët e pushtetit vendor përfshirjen maksimale në procesin e prodhimit dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Ministri Nishani ka deklaruar se tashmë vendi ka një regjistër elektronik të sigurt, nga i cili do burojnë listat e zgjedhësve korrekte, të sigurta dhe të pastra nga dublimet. Ministri i Brendshëm zhvilloi dje një takim me drejtuesit e pushtetit vendor në qarqe, bashki e komuna për të diskutuar dhe përcaktuar detyrat dhe objektivat lidhur me realizimin e projektit për prodhimin dhe shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike. Pasi informoi për ecurinë e deritanishme deri në përzgjedhjen e një prej modeleve më të përparuara në hapësirën e BE-së për dokumentet e identitetit, si dhe duke e cilësuar projektin një aksion kombëtar që kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve të qeverisjes qendrore e vendore dhe të gjithë forcave politike, ministri deklaroi se procesi do të pasohet nga takime e konsultime të vazhdueshme për të garantuar ecurinë normale dhe suksesin e tij. Gjithashtu, ministri Nishani falënderoi drejtuesit e njësive vendore për punën e mirë të kryer për përgatitjen e regjistrit elektronik, nga i cili do të burojnë dhe listat e zgjedhësve korrekte, të sigurta dhe të pastra nga dublimet. Në mënyrë të veçantë, një falënderim të posaçëm ministri i Brendshëm e drejtoi për krerët e njësive bashkiake të Tiranës ku ka përfunduar jo vetëm hedhja dhe certifikimi i të dhënave, por edhe network-u dhe falë një software-i të instaluar do të tregohet shumë shpejt se cili është modeli i një regjistri të ri elektronik, i një shërbimi jo vetëm cilësor, por edhe i një shërbimi që ofron një produkt të sigurt.
Fondi
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, u shpreh në këtë takim edhe mbi rëndësinë e krijimit të kushteve normale për punën që do të kryejnë stafet e qeverisjes lokale për procesin e aplikimit për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike dhe shpërndarjes së tyre. “Qeveria shqiptare ka siguruar dhe është e gatshme të alokojë fondin financiar për projektin dhe propozimet që secili prej jush ka bërë për zyrën përkatëse të gjendjes civile dhe për përmirësimin e tërë infrastrukturës që do të duhet për procesin e aplikimit të qytetarëve shqiptarë për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike”, - u shpreh ministri i Brendshëm, duke kërkuar angazhimin e drejtpërdrejtë për realizimin e këtyre investimeve nga ana e krerëve të pushtetit vendor dhe administratës që ata drejtojnë. Fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për këto investime në bazë të projekteve dhe propozimeve përkatëse nga vetë njësitë vendore është 200 milionë lekë. “I kemi të gjitha mundësitë që këtë proces ta realizojmë brenda të gjithë afateve që kanë të bëjnë me një sërë çështjesh të rëndësishme, siç janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe procesi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë”, - përfundoi fjalën e tij z.Nishani.