E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, asgjësohet droga e bllokuar

 

GJIROKASTER - Policia e Gjirokastrës ka asgjësuar dje një sasi të konsiderueshme droge të bllokuar gjatë viteve 2005-2007. Plot 1346 kg marijuanë, si dhe 18 kg heroinë u është vënë flaka mesditën e djeshme në një zonë periferike të qytetit. Asgjësimi është kryer fill, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, ka nxjerrë urdhër për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës për 6 vepra penale, të cilat kanë marrë vendimin e formës së prerë. Djegia e provave materiale të grumbulluara gjatë aksioneve të policisë së Gjirokastrës është bërë në praninë e ekspertëve lokalë të kriminalistikës si dhe të organit të akuzës. Për këtë sasi janë arrestuar 11 persona, të cilët vuajnë dënimin në institucionet e riedukimit. E vlerësuar në të holla, sasia e marijuanës arrin 1 milion euro, ndërsa heroina në 100 mijë euro.                p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›