Hetim mjekëve për vdekjen e gruas
BERAT/ DILAVER XHELILI
Hetim mjekëve të spitalit të Beratit për vdekjen e një 45-vjeçareje. Nëna e tre fëmijëve, nga fshati Bardha i komunës Lumas, humbi jetën 6 ditë pasi ishte rrëzuar nga një pemë, edhe pse kaloi tre ditë në spital. Ngjarja po hetohet tashmë nga një grup ekspertësh, për të zbardhur nëse Pranvera Qejvani humbi jetën nga mjekimi jo i kujdesshëm apo për shkak të ndonjë komplikacioni si pasojë e dëmtimit të organeve jetike. Nga burime të policisë së Beratit mësohet se ngjarja ndodhi në fillim të javës së shkuar, kur gruaja po mblidhte ullinj në pronat e saj. Ajo ishte detyruar të hipte mbi pemë, për të mbledhur të gjithë kokrrat e ullirit, kur papritur dega ku ishte mbështetur është thyer. Gruaja ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme, por veç saj, ajo është rrëzuar mbi një pjesë toke gurore. Nga përplasja e fortë, 45-vjeçarja ka pësuar fraktura të rënda në të gjithë trupin. Familjarët e saj e kanë marrë me urgjencë, duke e dërguar gruan pa ndjenja në spitalin e Beratit. Aty ajo është mjekuar për 3 ditë me radhë. Në momentin që mjekët kanë menduar se Qejvani kishte kaluar rrezikun, ata kanë lejuar daljen e saj nga spitali. Burime të policisë bëjnë të ditur se Pranvera Qejvani, ka dalë nga spitali dhe është trajtuar me mjekime në shtëpi. Prej të njëjtave burime pohohet se gjatë qëndrimit në spital gruaja është mbajtur nën kontroll e mjekuar vetëm për frakturat, të shkaktuara në disa pjesë të trupit. Por, duket se dëmtimet e brendshme kanë qenë më të rrezikshme për shëndetin e 45-vjeçares. Ato kanë dhënë shenjat e tyre gjatë të premtes, duke e detyruar rikthimin e saj në spital. Më datë 17 tetor, rreth orës 19:00 mësohet se 45-vjeçarja ka pasur bllokim të frymëmarrjes dhe të vjella. Me shpejtësi është rinisur drejt spitalit rajonal, ku mjekët u kanë komunikuar familjarëve lajmin e rëndë të vdekjes së saj. Sipas tyre, ajo kishte ndërruar jetë pa mundur të marrë ndihmën e shpejtë të kërkuar mbrëmjen e së premtes. Nisur nga humbja e jetës në mënyrë të papritur të gruas, policia e Beratit ka regjistruar çështjen për hetim, duke ngritur një grup pune për të analizuar shkaqet. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e kësaj vdekjeje, nëse 45-vjeçarja ndërroi jetë si pasojë e mjekimit jo të duhur të stafit të spitalit apo një komplikacion i paparashikuar për pasojë të hemoragjisë së brendshme, të pësuar ose dëmtimi i organeve jetike. Gjatë ditës së djeshme janë marrë në pyetje familjarët e viktimës, të cilët kanë treguar detajet mbi shtrimin dhe kurimin e saj që prej momentit të plagosjes rëndë. Fillimisht ata nuk kanë pasur pretendimi ndaj mjekimit dhe pritet që ekspertët të japin përgjigjen përfundimtare, pasi të zbardhen dhe deklarimet e mjekëve.