E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Londër Ilir Kumbaro,akuzë për rrëmbim e tortura

 

Arrestimi në Londër i Ilir Kumbaros, ish-zyrtar i shërbimeve sekrete shqiptare nuk bën përjashtim nga historitë e pazakonta, që shoqërojnë jetën e agjentëve sekretë. Ish-kryetari i degës së parë të SHIK-ut të Tiranës, i shumëkërkuar për akuzën e rrëmbimit dhe torturave ndaj Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt në vitin 1995, qëndronte i arrestuar në qelitë e policisë angleze pas arrestimit për një sherr krejt të rëndomtë të ndodhur në Londër. Scotland Yard, policia londineze, kërkoi të dhëna nga Interpol Tirana, ku dërgoi edhe fotot e të arrestuarit, sapo mësoi se shtetësia e të arrestuarit me emër të rremë ishte shqiptare. E ndërsa Ilir Kumbaro, mbahej në izolim në policinë e Londrës për akuzën e një konflikti me një person tjetër, nga Tirana ka mbërritur konfirmimi “bingo”. I arrestuari për incidentin nuk ishte as më pak dhe as më shumë, se ish-kryetari i degës së parë të Shërbimit Informativ të Tiranës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare që në vitin 2003. Gjykata angleze ka ngritur një “kurth” ndaj Kumbaros duke e vënë atë para provës për të vërtetuar identitetin e rremë që mbante në Londër. Ai akuzohej se bashkë me katër ish-agjentë dhe zyrtarë të tjerë të Shërbimit Sekret të vitit 1995, kishin rrëmbyer e më pas torturuar tre persona, njëri nga të cilët është zhdukur pa gjurmë. Arrestimi i Ilir Kumbaros është konfirmuar dje nga burime të policisë dhe të Prokurorisë shqiptare. Sipas tyre, 55-vjeçari është ndaluar nga policia e Londrës në bazë të një urdhri arresti të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, e cila është përcjellë nga Interpoli. Në fakt, burime nga policia konfirmojnë se arrestimi i Ilir Kumbaros është bërë pikërisht pas një ndjekje disa mujore dhe vëzhgimi të rreptë të tij, duke përjashtuar tezën e ndalimit të Kumbaros një muaj më parë për shkaqe të tjera. Gjithsesi, informacioni zyrtar për rrethanat e arrestimit është i vakët. Megjithatë konfirmohet se ish-agjenti i SHIK-ut të Tiranës, ka ndryshuar disa herë banesat gjatë qëndrimit në Londër, ku qëndronte nën një identitet të rremë.    
Ekstradimi
Menjëherë pas konfirmimit nga Tirana se i arrestuari ishte person i kërkuar për akuzën e rrëmbimit dhe torturave në një dosje penale, që po gjykohet nga Krimet e Rënda, pala angleze është shprehur dakord me fillimin e procedurave për ekstradimin e Kumbaros në Shqipëri. Në fakt kjo parashikohet të jetë një procedurë e ndërlikuar, për shkak të statusit të Ilir Kumbaros si ish-agjent i Shërbimit Sekret, pasi ai mund të kërkojë azil politik apo mbrojte nga shteti britanik, duke pretenduar kanosjen e rreziqeve në rast kthimi në Shqipëri. Sipas të dhënave policore, mësohet se Ilir Kumbaro është larguar nga Shqipëria prej vitit 1996 dhe veprimet e tij kanë qenë të mbuluara me mister për një kohë të gjatë. Në vitin 2003 kur në Tiranë u arrestuan tre ish-agjentë të SHIK-ut, Kumbaro nuk gjendej, ndërsa Interpoli ra në gjurmët e tij në Londër. Një urdhër arresti i policisë shqiptare drejtuar autoriteteve britanike pas vitit 2003, mori përgjigjen se “personi u kërkua, por nuk u gjet në adresën e dhënë nga policia shqiptare”. Tashmë drejtësia shqiptare pritet të dërgojë në Londër dosjen përkatëse me qëllim ekstradimin e Kumbaros në Shqipëri. Në dosje përfshihen akuzat që janë ngritur ndaj 55-vjeçarit, të dhëna për identitetin e tij si dhe një përshkrim i provave dhe ngjarjeve për të cilat ai akuzohet. Sinjali i parë për arrestimin e Kumbaros në Londër, është dhënë gjatë një vizite, që kryeprokurori anglez zhvilloi në Tiranë disa muaj më parë.                                    d.b   

Vëzhgimi 20-ditor zbuloi ish-agjentin e kërkuar

TIRANE - Një ndjekje operative që ka zgjatur 20 ditë me vëzhgime të plota për lëvizjet e Ilir Kumbaros, ka qenë “sekreti”, që zbuloi identitetin e vërtetë të personit të kërkuar. Për 20 ditë më radhë ai është survejuar, filmuar dhe fotografuar e më pas, të dhënat e tij janë dërguar në Tiranë. Nga ana tjetër, gjykata britanike thirri në një proces gjyqësor më 6 tetor 2008, Ilir Kumbaron, i cili në Londër prezantohej me identitet të rremë. Gjykata hapi gjyqin me palë Ilir Kumbaron, duke i dhënë atij të drejtën që të provonte se identiteti i tij ishte i vërtetë dhe se nuk ishte pikërisht personi i kërkuar nga drejtësia shqiptare. Edhe pse strehohej që në vitin 1996 në Londër, Ilir Kumbaro nuk ka arritur ta bënte këtë ndërsa nga Tirana, ku ndodhej vetëm një fotografi e tij në arkivat e policisë, ka mbërritur konfirmimi se personi ishte pikërisht 55-vjeçari i kërkuar. Në këtë mënyrë, policia londineze ka vendosur menjëherë arrestimin e 55-vjeçarit nga Shqipëria. Sipas të dhënave zyrtare, Ilir Kumbaro ka qenë një nga oficerët e vjetër të Sigurimit të Shtetit dhe është trajtuar në shkollën e zbulimit të asaj kohe, duke vazhduar më pas karrierën e tij në SHIK. Sipas dosjes penale të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro, në detyrën e drejtorit të degës së parë të SHIK-ut të Tiranës, ka qenë një nga zyrtarët në dijeni të operacionit sekret, që rrëmbeu Remzi Hoxhën më 21 tetor 1995. Në bazë të dosjes hetimore, Ilir Kumbaro akuzohet se ka marrë pjesë në shoqërimin e biznesmenit shqiptar nga Kosova, nga Tirana për në bazën sekrete të SHIK-ut në Lezhë, ku besohet se i zhdukuri ka rënë pre e torturave fizike gjatë marrjes në pyetje nga agjentët sekretë. “Nga studimi i akteve të procedimit penal rezulton si vijon: Në datë 21.10.1995, rreth orës 13:30, në ambientet e firmës “Albatros” me qendër në Tiranë, është rrëmbyer presidenti i kësaj firme, shtetasi shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Rrëmbyesit kanë përdorur makinën me targë TR 2449 C”, thuhet në dosje. Targa e makinës së përdorur u provua më vonë se i përkiste Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa sipas prokurorisë, pjesëmarrës në këtë aksion dhe në drejtimin e tij, ishte edhe Ilir Kumbaro. Për këtë shkak, i arrestuari në Londër është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe po gjykohet në mungesë tek Krimet e Rënda për akuzat e “rrëmbimit të personit” në tri raste të kryera në bashkëpunim dhe “tortura me pasoja të rënda” në tri raste, të kryera në bashkëpunim me tre ish-agjentë dhe ish-zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Prokuroria: Rrëmbimet e ‘95 të paramenduara
Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke iu referuar rrëmbimit të tre personave, Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli, shprehet në dosjen, ku akuzon katër ish-punonjës të SHIK-ut, se “nga ana e tyre, veprimet janë bërë të studiuara, në bazë të një plani konkret dhe jo në mënyrë të rastësishme”. “Personat të cilët i kanë rrëmbyer, paraprakisht ata i kanë verifikuar se ku ndodheshin, i kanë mbajtur në vëzhgim për disa ditë dhe më pas kanë realizuar marrjen e tyre me forcë, lidhjen e tyre dhe të syve gjithashtu, që të mos lejonin shikimin nga ana e tyre se ku po dërgoheshin me makinë, mbajtja të izoluar në ambiente të fshehta të siguruar me roje të brendshme dhe të jashtme, që të mos kishin asnjë mundësi largimi, komunikimi apo ankimi”, thuhet në dosjen hetimore lidhur me ngjarjet e tetorit 1995, për të cilat akuzohen katër ish-agjentë dhe zyrtarë të SHIK-ut.

Dosja penale e ish-agjentit të SHIK-ut
TIRANE – Në dosjen penale të hapur nga Prokuroria shqiptare, thuhet se Ilir Kumbaro është i biri i Nazmiut dhe Fitnetes, i datëlindjes 1953, lindur në Peqin dhe banues në Tiranë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i martuar, me arsim të lartë, me gjendje gjyqësore i padënuar, hetuar me masë sigurimi “arrest në burg” në mungesë nga data 18.12.2003, mbrojtur nga avokat Ilir Murati. Asgjë më shumë se këto të dhëna nuk ndodhet në dosjen personale të Ilir Kumbaros në Prokurori. Kumbaro është njëri nga personat, që sipas Prokurorisë fajësohet nga të dëmtuarit e ngjarjeve të vitit 1995, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli, të cilët u rrëmbyen në ditët e tetorit të 13 viteve më parë dhe u mbajtën për pak ditë në të njëjtën bazë sekrete me Remzi Hoxhën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›