E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo "shkon" te psikologët

Shërbimi psikologjik shkollor, duke filluar që nga ky vit, do të jetë pjesë e sistemit arsimor në çdo shkollë. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, në një takim me psikologë arsimorë të kryeqytetit, zhvilluar në shkollën e mesme "Sinan Tafaj", ka folur me ta për sfidat e ushtrimit të këtij profesioni me nxënësit. "Shërbimi i psikologut është shumë i rëndësishëm, sidomos në shkollat e mesme", tha ministri Pollo. Ai shtoi se "gjimnazistët janë në moshën e adoleshencës dhe të tërë i kujtojmë apo i njohim problemet dhe sfidat që ata përballojnë. Shpeshherë kanë probleme me prindërit, me shkollën, me shokët e shoqet". Sipas tij, psikologu shkollor i specializuar është pranë tyre, për të trajtuar problemet emocionale, psikologjike dhe të tjera që mund të ketë i riu në këtë moshë, në mënyrë që t‘i japë ndihmë, të zgjidhë problemin dhe të normalizojë ekseset. "Ne duam të jetojmë në një shoqëri ku familja është qeliza bazë, një qelizë që duhet të mbetet e shëndetshme. Duhet ruajtur edhe autoriteti i prindit, i mësuesit edhe duke zhvilluar personalitetin e nxënësit. Shërbimin psikologjik ne do t‘ua ofrojmë të gjithë adoleshentëve që mund të kenë probleme kalimtare në shkollat tona të mesme, që të gjejnë zgjidhje dhe të vendosin ekuilibrin dhe raportin e duhur me familjen, shoqërinë e shkollën", premtoi Pollo.

Deri më sot, shërbimi psikologjik shkollor ka funksionuar në bazë të eksperimentimit. Aktualisht, në shkollat tona punojnë 144 punonjës të shërbimit psikologjik shkollor, sipas të dhënave të muajit mars 2008.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›