Vetëdorëzohet i kërkuari për trafik droge
Renato Shopi ishte shpallur në kërkim nga policia, pas zbulimit të tij si pjesëtarë i grupit
TIRANE- Vetëdorëzohet një i dyshuar si i përfshirë në një rrjet të trafikimit të heroinës, ortaku i të cilit, Artur Hasalla, u arrestua në muajin shkurt me 10 kg heroinë në tentativë për ta trafikuar në drejtim të Greqisë.
Renato Shopi, 27 vjeç, banues në Elbasan, është arrestuar mbrëmjen e të hënës në ambientet e policisë së kryeqytetit me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim në mënyrë të përsëritur.
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit të cilët pohuan se Shopi ka qenë edhe më parë i arrestuar prej tyre për të njëjtën veprimtari kriminale.
Arrestimi i Shopit, ka ardhur disa muaj pasi ai ishte zbuluar dhe dokumentuar se ai ishte përfshirë në një rrjet të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria me destinacion fqinjin jugor të vendit tonë.
Sipas burimeve, ai është dokumentuar nëpërmjet gjurmëve daktiloskopike (gishtërinjve), të gjetura në pakot 500 gramëshe të sasisë prej 10 kg heroinë të kapur nga Policia e Shtetit me 19 shkurt të këtij viti në Kapshticë.
Një fakt i tillë, sipas policisë, provon faktin se i vetëdorëzuari mund të ketë marrë pjesë në paketimin apo në rregullimin e sasisë së heroinës së bllokuar në gomën rezervë të mjetit të Artur Hasallës.
Pak kohë pas identifikimit të tij, hetuesit e Policisë dhe të Prokurorië së Krimeve të Rënda, kjo e fundit lëshoi edhe urdhrin e arrestit me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Pak kohë më vonë, pasi Shopi kishte mësuar se ishte shpallur në kërkim për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike, ai kontaktoi me avokatin e tij të cilin e autorizoi të negocionte me policinë për të realizuar edhe vetëdorëzimin e tij. Pak ditë pas këtij veprimi, Shopi pranoi të vetëdorëzohej tek oficerët e Policisë së Shtetit, për të sqaruar pozicionin e tij në këtë ngjarje.
Pritet që prokuroria e Krimeve të Rënda, të kërkojë në gjykatë vlerësimin e masës së arrestit ndaj tij për veprën për të cilën akuzohet. Ndërkaq, burime të policisë pohojnë se veç të vetëdorëzuarit, ata kanë vazhduar hetimin në lidhje këtë rast për të zbuluar furnizuesit apo pronarët e drogës si dhe të gjithë linjën e mundshme të saj.