Gjirokastër, bashkia "mbyll" derën e shtëpisë së Enverit
Bashkia e Gjirokastrës nuk lejoi zhvillimin e aktiviteteve për 100-vjetorin e lindjes së, Enver Hoxha, brenda shtëpisë ku ai lindi e që aktualisht është muze etnografik. Komunistët "kërcënohen" me dhunim banese.
GJIROKASTER Mësohet se urdhri që ndryshoi kryekëput programin e ceremonisë përkujtimore për diktatorin, u është bërë me dije pjesëtarëve të familjes Hoxha e drejtuesve të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Partisë Komuniste, që të premten që shkoi. Ndërsa ishte deklaruar se bashkiakët kishin dhënë OK që më 13 shtator shtëpia muze, në lagjen "Palorto" do vihej në dispozicion të tyre dhe do të lejohej kryerja e aktiviteteve të planifikuara kohë më parë, ka ndodhur e kundërta. Dje, Ilir dhe Teuta Hoxha si dhe simpatizantë të shumtë të ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha që mbërritën në Gjirokastër nga të gjitha rrethet e vendit tonë, Kosova dhe diaspora u detyruan të zhvillojnë tubimin përkujtimor jashtë murit rrethues, në sheshin para ndërtesës. Kryetari i degës së PP-së për Gjirokastrën, Laver Stroka dje deklaroi në linjë telefonike për Gazetën, se "ultimatumi" u dha nga drejtori që mbulon fushën e kulturës në Bashkinë e Gjirokastrës, Odise Kote. "Të premten shkuam të merrnim leje me shkrim në bashki për të zhvilluar aktivitetet që kishim planifikuar të bënim në shtëpinë ku lindi Enveri. Kote na tha se nuk mund të futeshim në ambientet e ndërtesës, pasi bëhet fjalë për një institucion shtetëror", - u shpreh Stroka. Ai sqaroi se përfaqësuesi i bashkisë u tha prerazi se në rast se ndodh një gjë e tillë, do përballeshin me prokurorinë, e cila do e konsiderojë si dhunim të institucioneve shtetërore. Ndërkohë, Laver Stroka tregoi se bashkia u kishte dhënë leje që në fillim të qershorit. "Na ishte premtuar se me datë 13 deri më 16 tetor do të zhvillonim aktivitete në shtëpinë e Enverit, nga ora 7:00 deri në ora 19:00. Në shtator njoftuam zyrtarisht dhe Drejtorinë e Policisë, por premtimi nuk u mbajt. Shqipëria është vendi i çudirave", - pohoi kreu i PP-së për Gjirokastrën. Gjatë ceremonisë, pjesëmarrësit kanë folur rreth figurës së Enver Hoxhës dhe kontributin e tij të madh për vendin tonë, si dhe për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare. Një përshëndetje speciale dërgoi për pjesëmarrësit bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmija, e cila u lexua nga Teuta Hoxha.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)