OSSH ndërpret sërish energjinë në kabinat e plazhit të vjetër
"Gërshëra" e OSSH në qytetin e Vlorës ka rënë përsëri dje mbi kabinën elektrike në kabinat e Plazhit të Vjetër, që bashkia i ka dhënë me qira. OSSH ka riprerë përsëri kabllot që furnizon këto kabina dhe ka lënë pa energji përsëri rreth 100 familje që jetojnë këtu. Kjo është një skenë e ripërsëritur sepse vetëm pak ditë më parë u bë një prerje e tillë, që detyroi këto familje të dilnin në protestë duke bllokuar rrugën kryesore.
Vetë banorët që jetojnë këtu, kërkonin ndihmë nga bashkia sepse ata nuk kishin jo vetëm kontratë me OSSH, por edhe aq lekë sa të paguanin energjinë e harxhuar. Në këto kabina jetojnë me qira familje me të ardhura nga më të paktat në qytet. Pjesa më e madhe e tyre jetojnë me asistencë sociale dhe shumë prej 20 deri në 50 mijë lekësh të vjetra që marrin, nuk u dalin as për bukë e jo më për të paguar energjinë elektrike. Ndërkohë që duhet theksuar se këto familje nuk janë të vendosura përfundimisht në këto kabina, por largohen prej aty sapo gjejnë një zgjidhje më të mirë. Por ato nuk kanë një kontratë të rregullt me OSSH dhe kjo është arsyeja që kjo e fundit u ndërpret herë pas here energjinë. Sipas Dhimitër Kovit, drejtori aktual i OSSH së Vlorës, Në kushtet e mungesës së një kontrate të rregullt, këtyre familjeve u dërgohet fatura afrofe e pagesës së energjisë së harxhuar. Padyshim që edhe vetë drejtuesit e OSSH janë të ndërgjegjshëm që kjo faturë është e lartë për këto familje që jetojnë me ndihmën ekonomike që u jep bashkia, por tashmë OSSH është ndërmarrje private dhe nuk mund të marrë përsipër shpenzime për konsumatorë të tjerë. Kovi pohon se pas ndërprerjes së pak ditëve më parë të energjisë në këto familje është konstatuar se ato e kanë rilidhur atë dhe në këto kushte janë dërguar përsëri punëtorët për të bërë rindërprerjen. Kovi thekson se është bashkia ajo që duhet të mendojë për një zgjidhje për këta banorë, duke i rimbursuar ata. Së pari duke u krijuar atyre mundësinë e lidhjes së një kontrate të rregullt për të gjitha kabinat dhe jo për familje të veçanta sepse kabinat janë të palëvizshme ndërkohë që familjet që jetojnë aty zhvendosen herë pas here, sipas mundësive që gjejnë. Edhe familjarët që jetojnë aty kanë bërë thirrje në bashki për ndihmë në këtë drejtim, por askush ky institucion nuk është bërë i gjallë për të dhënë një përgjigje lidhur me kërkesën. Vetë banorët kanë gjetur zgjidhje rilidhjen sa herë që OSSH u ndërpret energjinë, duke shpëtuar deri tani nga ndonjë padi dhe ndjekje penale. Ata kanë qenë gjithmonë bashkë dhe kanë protestuar masivisht ndaj një mase të tillë të marrë ndaj tyre. Pas ndërprerjes së djeshme ata nuk kanë reaguar dhe deri në orët e vona të pasdites kanë qenë pa energji elektrike, por nga ana tjetër kanë pohuar se sapo të gjejnë mundësi do të bëjnë rilidhjen e energjisë në mënyrë private.