E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, dëshmojnë në gjykatë 9 banorët e pallatit të shembur

Dëshmitarja, Idajete Tena tregon se si ishte bërë vendosja e pilotave në pallat
Dëshmi reale, ankth dhe lot është karakterizuar seanca e dytë gjyqësore në ngarkim të 7 të akuzuarve për rrëzimin e pallatit pesëkatësh në 9 nëntorin e vitit të kaluar. Ata që kanë përcjellë detaje nga më të hollësishme duke shkaktuar herë-herë ilaritet në sallën e gjyqit, kanë qenë banorët e pallatit ku për të parën herë, kanë dhënë fakte të përjetuara para, gjatë dhe pas ndodhjes së tragjedisë. Idajete Tena njëra prej banoreve të pallatit, në cilësinë e dëshmitarit është shprehur para trupit gjykues të kryesuar nga Desard Avdulaj, se tragjedia ndihej se do të vinte shpejt. Kam ndjerë frikë, kërciste dyshemeja ndonëse banoja në katin e katërt të pallatit që u rrëzua. Kemi jetuar me frikë gjashtë muaj para se të ndodhte rrëzimi i pallatit pasi shenjat e para që jepeshin ishin tregues se diçka mund të ndodhte-ka qenë njëra prej dëshmive të bërë nga Tena. E vetmja dëshmitare e cila përcaktoi në mënyrë skematike vendosjen e pilotave në pallatin shumëkatësh që pretendohej të ngrihej para pallatit të rrëzuar Idajete Tena, ka rrëfyer se fillimi i nguljes së këtyre pilotave ndodhi nga jugu në veri të rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavije ndërkohë që shembja e pallatit erdhi në zonën ku nuk kishin mbërritur pilotat e nëndheshme për të mbajtur peshën e masivit shtufor. Nëse do të kishte filluar ngritja e pilotave në krahun e kundërt, atëherë do të ishte shmangur tragjedia- janë shprehur specialistët. Dëshmitarja në fjalë është shprehur se një natë para tragjedisë kishte parë radhë të gjata të automjeteve transportues që evadonin masivet shtufore për të hapur themelet ndërkohë që ka mohuar faktin se ndonjë përfaqësues i firmës së ndërtimit ti ketë paralajmëruar ata para ndodhjes së tragjedisë për rrezikun nga shembja e pallatit. Një tjetër dëshmi ishte ajo e Axhem Menes banorit tjetër të pallatit të cilin e kishte informuar i biri për tërmet një ditë para tragjedisë. Kur udhëtoja drejt Tiranës me djalin tim mëngjesin e ditës së rrëzimit të pallatit, djali mu drejtua me fjalët nëse e kisha ndjerë tërmetin në orët e natës pra dua të them që lëvizjet tektonike kishin filluar 24 orë para se të ndodhte tragjedia, është shprehur Mene. Njëkohësisht Mene ka parë sinjalin e parë se diçka nuk shkonte një ditë para se të rrëzohej pallati. Kam ardhur mbrëmjen e fundit që jetova në atë apartament në shtëpi dhe pashë orën e murit të rrëzuar përtokë, thashë me vete do ta ketë hequr gruaja dhe e vendosa sërish në mur, të nesërmen në mëngjes kur u çova, orën e pashë sërish në tokë dhe ky ishte një dyshim kalimthi ndonëse harrova faktin se ora  mbahej me një gozhdë të fortë në mur- ka dëshmuar Mene. Ndërsa një tjetër dëshmi e cila kishte brenda saj njëherësh trajta humori dhe tragjike ishte ajo e Sokrat Papadhopullit, gazetarit të njohur sportiv i cili humbi shtëpinë në momentin e parë të rrëzimit të pallatit. Atë ditë në mëngjes, pasi kam përcjellë bashkëshorten time në drejtim të Greqisë, isha nisur në drejtim të shtëpisë për të bërë artikullin dhe ta përcillja në gazetën sportive ku unë punoj por fati ka qenë me mua, është shprehur Papadhopulli. Rrugës marr vesh që kishte vdekur një i njohuri im djalë i ri dhe mendova fillimisht të shkoja për ngushëllime, por menjëherë ndryshova mendim dhe thashë të mbaroj një herë me shkrimin në gazetë dhe pastaj shkoj në Ksoll. Së bashku me Axhem Menen, Papadhopulli dhe të tjerë banorë të pallatit, kanë kërkuar dje nga trupi gjykues që qeveria lekët që do të marrë nga firma Arti shpk si dëmshpërblim, tua japë atyre pasi fondi i akorduar nga ekzekutivi si dëmshpërblim konsiderohet i pamjaftueshëm. Të gjithë dëshmitarët janë pyetur nga prokurorët e çështjes Arben Pasho dhe Alfred Saliu nëse ka ardhur dikush ti njoftonte për rrezikun që mbarte ndërtimi i godinës përbri të tyres, ata e kanë mohuar një gjë të tillë duke përjashtuar edhe përfaqësuesit e firmës Arti shpk. Zyrtarisht banorët kanë pranuar se asnjëherë nuk ishin ankuar për rrezikun që ekzistonte për rrëzimin e godinës tek autoritetet lokale. Në këtë mënyrë ka përfunduar seanca e dytë gjyqësore  në ngarkim të shtatë të akuzuarve për rrëzimin e pallatit në lagjen 11 Janari.
Ngjarja
Mesditën e 9 nëntorit të vitit të kaluar ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën gjashtë të tjerë. Mbi gjashtë nga të akuzuarit rëndon vepra penale e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që presidenti i firmës Arti sh.p.k dhe investitori Sotiraq Janora, akuzohet për veprën penale të vrasjes në rrethana të cilësuara. Në gjyq janë paraqitur vetëm gjashtë nga të pandehurit ndërkohë që njëri prej tyre Admir Shehaj, është përfaqësuar në gjyq nga avokati i tij Kujtim Idrizi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›