Këndvështrimi i studiuesve turq mbi Shqipërinë, në faqet e një libri
Për herë të parë në studimet historike shqiptare vjen një këndvështrim i munguar, pikërisht këndvështrimi i studiuesve turq mbi Shqipërinë. Libri Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman është pritur më interes të veçantë nga studiuesit shqiptarë dhe vjen si botimi më i fundit i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC).
Gjatë promovimit të tij pati një pjesëmarrje të gjerë studiuesish, politikanësh, përfaqësuesish të trupit diplomatik dhe intelektualë nga vendi e bota, ku vlen të përmendësh Dr. Halit Ereni, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Kërkimore për Historinë në Stamboll, Dr. Ali Osgun Ozturk, drejtor i Administratës Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim etj. Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman sjell një trajtim tërësor e shumëdimensional të jetës politike, administrative dhe shoqërore të një perandorie, që pati shtrirje në tre kontinente, pikërisht në Europë, Azi dhe Afrikë. Libri është hartuar nga emra të njohur të shkencës në Turqi, si Prof. dr. Ekmeleddin Ihsano?lu, Prof. dr. Feridun Emecen, Prof. dr. Kemal Beyd?l?, Prof. dr. Mehmet Âkif Aydin etj, dhe është sjellë në gjuhën shqipe nga ekspertë të fushës si prof. dr. Xhevat Lloshi, Suzana Tafa etj. Promovimin e librit e hapi me fjalën e tij përshëndetëse, botuesi i veprës në gjuhën shqipe, drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) Dr. Ramiz Zekaj, i cili shpjegoi arsyet e kësaj sipërmarrjeje të fuqishme për kulturën shqiptare, duke thënë se: E gjykuam të volitshëm botimin e këtij libri në gjuhën shqipe sepse është historia e një perandorie të madhe, pjesë e së cilës ishin edhe trojet shqiptare, që ndikoi në konturimin e historisë së njerëzimit. Është historia e një shteti të mirëorganizuar, historia e një shoqërie, që i dha popujve shumë dimensione në ecje drejt vlerave dhe në dinamikë. Dr. Halit Ereni, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Kërkimore për Historinë në Stamboll, vlerësoi përkthimin e veprës në gjuhën shqipe nga AIITC, duke thënë se Ky botim përbën një hap të rëndësishëm në fushën e botimeve. Jemi të bindur se ky botim do të jetë një kontribut i rëndësishëm në hulumtimin shkencor të kësaj teme. Artikujt që përmban vepra i ofrojnë lexuesit një paraqitje objektive të historisë së periudhës osmane, të ndërtuar në bazë të dokumenteve arkivore e të kronikave osmane, si dhe të punimeve të specialistëve të sotshëm në këtë fushë. Vepra është botuar në turqisht në vitet 1994-1998 dhe menjëherë pas u botua edhe në gjuhën arabe e në gjuhën angleze, duke u botuar gjatë viteve 1999-2002. Në vitin 2004 doli botimi i veprës në gjuhën boshnjake dhe së fundmi u publikua në gjuhën shqipe. Pritet që së shpejti vepra të dalë edhe në gjuhën ruse.