Gjirokastër, digjen 8 hektarë kullota
GJIROKASTER - Shkrumbohen 8 ha kullota në Gjirokastër. Zjarri më i fundit në qarkun e Gjirokastrës u shënua mbrëmjen e së mërkurës, në kodrën e fshatit Shën Todër në komunën e Lunxhërisë, rreth 8 km në lindje të qytetit. Sipas banorëve, flakët janë shfaqur rreth orës 22:00 dhe ato kanë përparuar me shpejtësi në të tërë zonën. Të gjendur përballë kësaj situate dhe vonesës së zjarrfikësve të mbetur në Gjirokastër, pasi gjysma e tyre kanë shkuar në Greqi për të shuar zjarret në Athinë, banorët kanë rrezikuar veten e tyre duke shkuar në destinacion dhe me mjete rrethanore janë përpjekur të shuajnë flakët e furishme. Shërbimi zjarrfikës nuk ka mundur dot të ndërhyjë si pasojë e terrenit të vështirë malor. Së bashku me kullotat, janë djegur edhe dy stane të braktisura para dy muajsh. Dëmin më të madh Gjirokastra e ka pësuar në pyje vitin e kaluar, ku rreth 117 ha u përpinë nga zjarret. p.n