Kapet grabitësi i banesës në Tiranë
TIRANE - Një tjetër banesë në një lagje periferike të Tiranës ka qenë stacioni i radhës së grabitësve mesnatën e së mërkurës. Një 32-vjeçar nuk ka ngurruar të futet brenda në shtëpi, edhe pse banorët ndodheshin brenda duke fjetur. Ka arritur ta realizojë misionin e tij, por është pikasur në momentin e fundit. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ndodhur në rrugën "Rexhep Tarja" në Tiranë, në një banesë private, ndërsa autori është arrestuar vetëm disa metra më larg në rrugën "Myslym Keta". Nga njoftimi për shtyp i policisë së Tiranës, mësohet se autori është 32-vjeçari Edmond Ruçi, i dënuar edhe më parë për vjedhje. Ai është arrestuar menjëherë pas një denoncimi që ka mbërritur në Komisariatin nr.4 nga një grua, e cila tregonte se kishte parë dikë që i dilte nga shtëpia fshehurazi në mes të natës, teksa pjesëtarët e tjerë të familjes flinin. Ajo ka denoncuar se pasi ka parë të panjohurin duke dalë nga shtëpia, ka kontrolluar për gjërat me vlerë që mbante në shtëpi dhe ka vënë re që i mungonin 200 mijë lekë të vjetra, si dhe disa bizhuteri floriri, varëse, unaza. Policia ka bërë të mundur menjëherë arrestimin e tij me akuzën e vjedhjes, si dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale paratë dhe bizhuteritë që ai kishte vjedhur. Me gjithë alarmin e policisë së kryeqytetit për shtimin e vjedhjeve me dhunë, grabitjeve, thyerjeve të banesave dhe bizneseve, duket se asgjë nuk është përmirësuar. Ngjarje të tilla sa vijnë e shtohen çdo ditë, duke u kthyer në makth për banorët e kryeqytetit. Po dje, në një nga linjat urbane të Tiranës, në atë të unazës, një person i rrëmbeu çantën nga dora një vajze dhe arriti të zbriste nga autobusi. Hajduti arriti të identifikohet shumë shpejt dhe u arrestua nga policia e Komisariatit nr.4. Ai quhet Adriatik Mile dhe është 26 vjeç, me disa precedentë të mëparshëm penalë për vjedhje.