Tregu valutor, euro nuk ndalet, fluturon në 132.8 lekë
Monedha e përbashkët europiane, euro, shënoi dje kuotën më të lartë që nga 10 qershori i shkuar kundrejt lekut, pas afro dy javësh forcimi gradual dhe të qëndrueshëm. Gjatë ditës së djeshme, leku humbi 0.47 për qind të vlerës, humbje që konsiderohet si e madhe brenda një dite të vetme. Ekspertët e bankave të ndryshme e prisnin një ecuri të tillë negative për lekun gjatë kësaj jave, por gjithashtu kanë paralajmëruar për mundësinë e shfaqjes së fenomenit të "mbledhjes së fitimeve". Ndodh që operatorë të ndryshëm në treg të grumbullojnë valutë për disa ditë dhe pastaj të ndryshojnë drejtim duke e shitur të gjithë sasinë papritur. Një fenomen i tillë ka shkaktuar më herët forcim të lekut deri në mbi 1 për qind brenda ditës. Bankat thonë se nuk kanë ndier ndonjë fluks në rritje të ofertës sezonale për euro gjatë kësaj vere. Si pasojë e sezonit turistik dhe kthimit të emigrantëve për pushime, leku është forcuar zakonisht gjatë verës, por këtë vit kjo nuk ndodhi. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dha një shpjegim tjetër. Sipas tij, gjatë këtij viti operatorët në treg po balancojnë kërkesë-ofertën e vet valutore përgjatë të gjithë vitit, duke shmangur luhatjet e papritura në kursin e këmbimit, gjë që duket se po i jep fund edhe luhatjeve sezonale.
Pushimet, shqiptarët udhëtuan jashtë vendit 15 % më shumë se vjet
Numri i shtetasve shqiptarë që kanë preferuar t'i kalojnë pushimet jashtë vendit këtë sezon veror është rritur me 15 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në bazë të të dhënave nga agjencitë e udhëtimeve. Sipas Unionit të Operatorëve Turistike, destinacionet kryesore mbeten Turqia, Egjipti, Mali i Zi, por edhe Spanja, Argjentina dhe Brazili. Por, krahas rritjes së numrit të shqiptarëve që kanë preferuar t'i kalojnë pushimet jashtë vendit, sipas të dhënave nga dikasteri i Turizmit, është rritur edhe numri i turistëve që kanë ardhur për pushime në vendin tonë. Kështu vetëm gjatë periudhës qershor-korrik në vendin tonë kanë ardhur 604.849 turistë, ndërkohë që akoma sezoni nuk është mbyllur dhe ky numër pritet të jetë më i lartë. Por nuk ka qenë kështu për sasinë e parave që këta turistë kanë sjellë në vendin tonë. Sipas të dhënave, sasia e valutës që ka dalë jashtë vendit nga shqiptarët që kanë kaluar pushimet jashtë, ka qenë pak më e ulët se sa sasia që ka hyrë në vend, edhe pse numrat e individëve kanë qenë në disporporcion. Në vitet e fundit Shqipëria ka jo vetëm një trend e bilanc pozitiv në terma shifrash për vizitorë të ardhur, por një trend me ndryshim domethënës dhe në terma financiare.
28 Gusht 2009