E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet presion kompanive të huaja, 93 për qind e investitorëve ankohen

Përveç krizës për biznesin e huaj shtohen dhe presionet e taksidarëve

Ervin KOÇI

Kërkojmë që të shtohen bizneset dhe investimet e huaja në vend, por nga ana tjetër i largojmë vet. Kjo gjë mund të duket si shaka, por për pjesën më të madhe të pronarëve dhe investitorëve të huaj në vend rritja e presionit nga ana e tatimorëve që i mbajnë nën kontroll është kthyer në një problem dite. Shumë prej pronarëve të huaj që gjatë këtij viti krize janë munduar që të mbajnë “me thonj” bizneset dhe investimet e tyre në punë, në vendin tonë, kohët e fundit përveç problemeve që u ka sjellë kriza ekonomike globale, atyre po u hapen telashe edhe me punonjësit e tatimeve. Këta të fundit mësohet se kanë rritur mjaftë presionin tek investitorët e huaj të cilët edhe pse janë nga më të rregulltit me detyrimet e shtetit shqiptar, përsëri u duhet të durojnë arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e personave që të veshur me uniformë shtetërore kërkojnë ryshfet nga të huajt. Janë mbi 93 për qind e pronarëve të kompanive të huaja që kanë investuar në vendin tonë të cilët kanë nisur ankesat për trajtimin aspak të mirë që atyre u bëhet nga administrata Tatimore. Por më tepër se sa me institucionet e shtetit ata problemin e kanë pasur me punonjës të caktuar që sipas tyre abuzojnë me detyrën. Për këtë qëllim para disa kohësh një përfaqësi investitorësh të huaj i ka nisur edhe një letër Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Ministrisë së Financave ku i ka kërkuar zgjidhjen sa më parë të këtij problemi. Por pasi institucionet shtetërore nuk kanë reaguar në kohë ndaj këtij shqetësimi, të njëjtën kërkesë mësohet ta kenë bërë dhomat e tregtisë dhe shoqatat që mbrojnë interesat e biznesit.

Ankesat

Sipërmarrësit e huaj kanë nisur të ngrejnë zërin për një mori problemesh që atyre u kanë dalë me autoritet shqiptare gjatë punës së tyre në Shqipëri, por theksin e vënë tek presioni i taksidarëve. Sipas sipërmarrësve, nuk kanë qenë të pakta rastet kur atyre u janë kërkuar nga zyrtarë të tatimeve ryshfete për ti ndihmuar në shmangien e një pjese të detyrimeve fiskale, për të rimbursuar më shpejtë TVSH-në, për të kaluar më shpejt mallin në dogana, apo për eliminimin e gjobave të ndryshme. Kjo gjë është vërtetuar edhe pas një studimi të zhvilluar nga “Albinvest” me një grup kompanish të huaja në vend, nga ku ka rezultuar se 93 për qind e këtyre subjekteve përveç problemeve të krizës ekonomike globale, kanë dhe një mori problemesh tipike të mjedisit shqiptar të biznesit. Më problematiku për investitorët e huaj ka qenë presioni dhe burokracia artificiale e krijuar prej autoritete të tatimeve, si dhe gjobitjet e paarsyetuara apo kontrollet e pamotivuara nëpër kompanitë e tyre nga ana e tatimorëve, pasi nuk janë pranuar kërkesat e tyre për ryshfet. Vetëm 7 për qind e kompanive të huaja, të pranishme në vendin tonë, të anketuara nga “Albinvest” kohët e fundit, kanë deklaruar se nuk kanë probleme me institucionet dhe autoritet tatimore të shtetit shqiptar. Nisur nga kjo situatë pas ditë më parë Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, u dërgojë një letër të hapur të gjitha drejtoria rajonale të tatimeve duke kërkuar me insistim denoncimin e rasteve të korrupsionit, si dhe duke paralajmëruar masa të rrepta dhe sanksione për ata tatimorë që kapeshin me shkelje. Për këtë qëllim edhe Drejtoria e Investigimit të Brendshëm në DPT ka nisur një hetim rigoroz për të gjitha degët e rretheve ku ka ankesa nga ana e subjekteve private.

Problemet

Problemet e hasura nga kompanitë dhe firmat e huaja në ushtrimin e aktivitetit të tyre kanë kryesisht të bëjnë me Zyrën e Tatim Taksave në rrethin përkatës, rimbursimin e TVSH-së për makineritë, pakuptueshmërinë e ligjeve dhe mosekzistencën e tyre në gjuhën e huaj, problemet me sistemin gjyqësor, tregun e licencave për kompanitë që veprojnë në fushën e ndërtimit, probleme në marrëdhëniet me bankat, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, si dhe probleme me Drejtorinë e Doganës në lidhje me referencat dhe dokumentacionin e eksportit. “Albinvest”, gjatë periudhës 18 qershor-14 korrik organizoi takime me kompanitë me kapital të huaj në 5 qytete: Durrës, Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan dhe Vlorë, ku u intervistuan 42 kompani. Pyetjes nëse ka ndikuar kriza ekonomike globale në biznesin tuaj, 24% e kompanive i janë përgjigjur "shumë", 69% i janë përgjigjur "disi" dhe 7% i janë përgjigjur "aspak". Problemet e hasura gjatë ushtrimit të aktivitetit janë cilësuar shumë të vështira për 14 % të të intervistuarve. 26% i shikojnë ato "krahasueshëm", 45% i kanë cilësuar problemet "Pak/Siç pritej" vetëm dhe 15% e tyre tregojnë se nuk kanë hasur asnjë problem në ushtrimin e aktivitetit të tyre.

28 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›