Gjirokastër, digjet banesa monument kulture
GJIROKASTËR- Zjarri ka djegur plotësisht një banesë monument kulture të kategorisë së parë në lagjen "Palorto" në qytetin e Gjirokastrës. Ngjarja ndodhi në orën 23. 00 të ditës së djeshme, në banesën që është në pronësi të shtetasit Ylli Abazi ndërsa flakët e zjarrit kanë rrezikuar të përhapen edhe në banesat e tjera. Në vendngjarje mbërritën tre automjete zjarrfikëse, por me gjithë ndërhyrjen e menjëhershme, banesa u shkrumbua plotësisht , pasi shtëpia ishte shumë e vjetër dhe me konstrukt druri nga ana ballore ku ka nisur edhe zjarri, ndërkohë që është bërë e mundur izolimi i flakëve, duke shpëtuar banesën ngjitur me të, por dhe banesat përreth si dhe evakuimi I banorëve.
Janë dashur plot 4 orë luftë me flakët në mënyrë që zjarri të shuhej, ndërsa grupi hetimor në ka deklaruar se në bazë të hetimeve dhe dëshmive të marra në vendngjarje rezultoi se shkaku i zjarrit ishte shkëndija elektrike si pasojë e motit të keq që bëri bashkimin e telave në pjesën ballore të banesës. Ky është rasti i dytë gjatë këtij viti që një banesë e vjetër gjirokastrite përfshihet aksidentalisht nga flakët e zjarrit, që të dyta kanë qenë objekte të braktisura.