Gjirokastër, digjet punishtja e prodhimit të kartopecetave, enigmë shkaqet
Një punishte për prodhimin e kartopecetave, është përpirë nga zjarri mëngjesin e djeshëm. Duket se ka qenë gjithçka aksidentale deri në momentin kur grupi hetimor të sqarojë rrethanat e rënies së flakëve shkatërruese për të vetmen njësi prodhimi të kartopecetave dhe pajisjeve të tjera ambalazhuese në zonën e jugut të Shqipërisë. Zjarri ka rënë në orën 10:30 dhe brenda 45 minutave të mëpasme është shndërruar në një gërmadhë të vërtetë.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Sofratikë rreth 17 km në jug të qytetit të Gjirokastrës, pranë superstradës Gjirokastër-Kakavijë. Investimi i kryer nga pronari i saj Vangjel Vaso, është likuiduar brenda pak minutave saqë krijoi gjendje vajtuese tek të 20 punëtorët, të cilëve do tu duhet të kërkojnë punë për të siguruar të ardhurat mujore. Katër prej tyre kanë qenë të pranishëm në momentin e rënies së zjarrit dhe janë larguar të tmerruar për ti shpëtuar vdekjes. Sipas grupit hetimor, punëtorët e pranishëm brenda në punishte janë të parët që do të merren në pyetje pasi kanë dijeni për origjinën e rënies së flakëve. E ndërtuar rreth gjashtë vjet më parë, punishtja e prodhimit të kutive të kartonit për ambalazh dhe e kartopecetave, konsiderohej si një ndër bizneset më të suksesshme në zonën e Dropullit. Ndonëse zjarri është konstatuar në orën e sipërpërmendur, zjarrfikëset kanë ardhur me 30 minuta me vonesë duke shpëtuar disa nga automjetet e fabrikës të parkuara në oborrin e saj. Flakët agresive kanë vënë nën vete dy automjete dhe bashkë me to, makineritë si dhe baza materiale së bashku me prodhimin që ndodhej brenda godinës. Ky është nga bizneset e vetme që shkatërrohet nga zjarri plotësisht në rajonin jugor. Sipas përllogaritjeve të përafërta dëmi i shkaktuar vlerësohet në 50 milionë lek të rinj. Policia lokale ka filluar hetimet për të përcaktuar shkaqet reale të rënies së zjarrit.