E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, doganieri lirohet në sallën e gjyqit, lihet detyrim paraqitje

Doganieri i arrestuar tri ditë më parë për shpërdorim detyre Agron Basha, është liruar në sallën e gjyqit me detyrim paraqitje në organet e drejtësisë. Në seancën gjyqësore të mbajtur sot në shkallën e parë të Gjyqësorit në Gjirokastër për të vlerësuar masën e arrestit ndaj Pëllumb Kaziut nga Tirana i cili u kap me 16 televizorë kontrabandë dhe doganierit të Kakavijes Agron Basha nga Lazarati, janë dhënë provat konkrete nga organi i akuzës që dëshmonin se personat e ndaluar nga policia duhet të qëndronin në arrest në burg pa afat. Ndërkohë që më të lehtë për tu liruar e kishte doganieri Agron Basha i cili ka marrë masën e detyrimit për paraqitje nga ana e kryesuesit të seancës së sotme cka nuk u kundërshtua madje edhe nga ana e prokurorit të cështjes. Ndërsa Kaziu do ti duhet të qëndrojë në dhomat e paraburgimit deri në zhvillimin e seancave të rregullta gjyqësore. Ndonëse avokati mbrojtës i tiranasit ka kërkuar që Kaziu të ndiqej penalisht në gjendje të lirë, trupi gjykues nuk ka qenë dakord. Kaziu përballet me akuzat e kontrabandës me mallra të tjera dhe përvetësimit të titujve dhe detyrës shtetërore. Pëllumb Kaziu është kapur në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë nga ana e Policisë së Gjirokastrës pasi në xhipin e tij kishte 16 televizorë LCD të cilat i kishte futur pa detyrime doganore nga Dogana e Kakavijes. Për këtë Policia e Gjirokastrës arrestoi Agron Bashën pasi dyshohej se ishte ai përgjegjës turni në momentin e kalimit të mallit kontrabandë nga Greqia për në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›