Dalipi: Qeveria po bën anarki me pronat
Deputeti Alfred Dalipi, në emër të PS ka kërkuar ndëshkim për çdo abuzim me pronat, lidhur me ligjin për verifikimin e pronave të aprovuar në 2008. Sipas tij, ky ligj nuk do të sillte rezultat në luftën ndaj korrupsionit, por do të risë konfuzionin ne çështjet e pronësisë Dalipi deklaroi se udhëzimi i Ministrisë së Drejtësisë për regjistrimin e pronave në hipoteka ka rritur abuzivitetin dhe ka shpënë një përqendrim të vendimmarrjes për çështjen e pronësisë tek Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Kjo kopje, vijoi Dalipi i dërgohet Ministrit të Drejtësisë. Sipas tij, ky akt ligjëron ndërhyrjen e qeverisë në çështjen e pronësisë, çka ka rritur abuzivitetin në lidhje me pronat, çka ka sjellë shkarkimet e tyre të herë pas hershme, si pasojë e abuzimeve të tyre me pronën. Procedura për zgjidhjen e mbivendosjeve të pronave e veshi me superpushtet kryeregjistruesin, pavarësisht nga procesi gjyqësor që ndiqet për të kundërshtuar gjykimin e tij, kjo procedurë ka shtuar hallkat burokratike dhe ua ka vështirësuar punën pronarëve, u shpreh Dalipi. Ai tha se ligjet, Udhëzimet dhe procedurat që ka përcaktuar kjo Qeveri për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave kanë shtuar konfliktet gjyqësore, duke vonuar konsolidimin e saj tek pronarët e vërtetë. Një nga shkaqet që ka shtuar korrupsionin e administratës shtetërore, Dalipi deklaroi rastin e fshatarit pronar, i cili praktikisht e ka shumë të vështirë të paraqitet në Komisionin e Pronave, pasi ka shumë burokraci e për plotësimin e tyre ka shumë vështirësi, harxhim kohe dhe shuma parash. Dalipi theksoi se pronat mbeten një çështje kyçe për të realizuar një ekonomi tregu funksionale, kusht themelor me të cilën lidhet jo vetëm integrimi në BE, zhvillimi ekonomik i vendit, por edhe zgjidhja e konflikteve sociale. Deputeti socialist deklaroi se Qeveria nuk ka realizuar premtimet e 2005 për prona, përkundrazi gjatë këtyre 4 viteve karakteristike ka qenë anarkia në prona, zvarritja e procesit pafundësisht, mungesa e transparencës, stërlodhja e pronarëve me një mal dokumentesh që ndryshojnë nga dita në ditë, jo për përfituar pronarët, por qeveritarët. Sipas tij, vendimi i qeverisë Berisha për kompensim fizik të pronarëve në bregdet, është demagogjia e radhës të cilët shqiptarët e kanë dëgjuar nga i njëjti politikan qysh në vitin 1994. Së fundi, Dalipi theksoi se Partia Socialiste mendon se pa transparencë, pa ndryshime të studiuara në legjislacion, pa respektuar decentralizimin, pa bisedime me grupet e interesit, pa konsensusin e të gjithave forcave politike, pa rishikimin e Ligjit të Legalizimeve, nuk mund të zgjidhet çështja e pronave në Shqipëri.