Policia e Durrësit nis aksionin e gjobave për makinat me xhama të errët
Policia e Durrësit ka vijuar me operacionet e saj për bllokimin e makinave të trafikuara nga vende të Europës Perëndimore, por tashmë ky operacion është shtrirë më tej ku policia e Durrësit është duke ndaluar rreptësisht qarkullimin e makinave me xhama të errët. Ky është një rifillim i operacionit të dikurshëm për ndalimin e xhamave të errët që duket sikur u zbut me kalimin e kohës ndërkohë që tani është rikthyer sërish.
Policia e Durrësit ka disa ditë që vazhdon këtë aksion për kontrollin dhe gjobitjen e të gjithë automjeteve me xhama të errët. Policia e qarkullimit rrugor e mbështetur edhe nga efektiva të policisë së rendit ka ngritur shumë postblloqe në kryqëzime rrugësh në qytetin e Durrësit dhe në dalje të tij në drejtim të Plepave, Shkozetit dhe autostradës Durrës-Tiranë. Aksioni me një numër të madh forcash ka filluar para tre ditësh dhe objekt i kontrollit kanë qenë edhe mjetet e vjedhura në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore. Burime zyrtare bënë të ditur se gjatë këtij operacionit nga policia e Durrësit janë verifikuar deri tani rreth 500 automjete të llojeve e tipave të ndryshme. Nga verifikimet e kryera me xhama të errët janë gjobitur mbi 28 automjete ndërsa të vjedhura jashtë shtetit ishin 19 prej tyre. Sipas policisë, automjetet e trafikuara, kryesisht të tipit të fundit, pas verifikimeve të kryera kanë rezultuar të vjedhura në vende të ndryshme të rajonit dhe të Bashkimit Evropian si: Itali, Gjermani, Norvegji, Francë, Belgjikë, Zvicër, etj. Për të gjitha këto automjete janë kryer procedurat përkatëse ligjore dhe materialet janë referuar në prokuroritë e rretheve gjyqësore për hetime të mëtejshme. Operacioni i policisë për bllokimin e këtyre mjeteve të vjedhura u krye si pasojë e sinjalizimeve që në Shqipëri janë futur automjete të vjedhura nga e gjithë bota. Në listën që verifikohet me anën e një kompjuteri, kontrollohet targa dhe tipi i automjetit, duke lehtësuar punën e punonjësve të policisë, të cilët jo në pak raste kanë bllokuar automjete luksoze të cilësuara të vjedhura. Kohë më parë në kuadër të operacionit "Rexhina 2008", vetëm në qarkun janë bllokuar rreth 15 mjete. Të gjitha makinat e sekuestruara janë luksoze dhe kanë hyrë në Shqipëri prej një harku kohor dy vjeçar. Burimet zyrtare të policisë së qarkut Durrës thanë se në zbatim të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë nisur dhe operacione, në bashkëpunim me INTERPOL- in. Operacionet kanë si synim parandalimin e trafikimit të mjeteve motorike, goditjen e autorëve të trafikimit të mjeteve motorike, si dhe sekuestrimin e mjeteve të trafikuara, kryesisht atyre luksoze.