Kartat e identitetit, ende 6 komuna në Kavajë pa filluar procesi
Ende në 6 komuna të nënprefekturës së Kavajës nuk ka filluar procesi i aplikimit për kartat e identitetit. Burime nga nënprefektura e Kavajës kanë bërë të ditur se procesi nuk ka filluar në komunën e Helmësit, Lekaj, Kryevidh, Gosë, Luzit të Vogël dhe Sinaballaj. Nga ana tjetër prej afro dy javësh aplikimi për kartat e reja të identitetit ka filluar në bashkinë e Kavajës dhe më pas edhe në bashkinë e Rrogozhinës dhe komunat Golem e Synej.
Megjithëse në këto katër njësi të qeverisjes vendore zyrat përkatëse janë përgatitur me bazën e nevojshme materiale, ritmi i aplikimeve nuk ka qenë shumë i lartë. Burime pranë njësive në fjalë kanë bërë të ditur se shkak për këto vonesa janë bërë në të shumtën e rasteve vetë punonjësit e zyrave ku bëhet aplikimi për kartat e identitetit. Konkretisht në komunën e Synejit është hapur prej një jave zyra për aplikimin e shtetasve, por ritmi i pranimeve të aplikimeve ka qenë i ulët. Banorët e kësaj komune kanë shprehur që në fillim të javës një interes të madh për të aplikuar për pajisjen me karta identiteti, por punonjësja e vetme në këtë zyrë nuk ka mundur të regjistrojë një numër të konsiderueshëm aplikimesh. Pothuajse në të njëjtën situatë janë edhe zyrat e aplikimit në komunën e Golemit dhe bashkinë e Rrogozhinës, ndërkohë që diçka më ndryshe duket situata në zyrën e aplikimit të bashkisë së Kavajës. Burime nga nënprefektura e Kavajës kanë bërë të ditur se në komunat ku ende nuk ka filluar procesi i aplikimit mund të fillojë puna gjatë kësaj jave, ndërkohë që në zyrat e gjendjeve civile përkatëse janë afishuar emrat e personave që nuk kanë pasaportë për jashtë shtetit, të cilët në bazë të urdhrit të qeverisë duhet të pajisen të parët me letërnjoftimin elektronik.
E. Bregu
E. Bregu