Rrjeti i drogës, të arrestuarit pranojnë përfshirjen
GJIROKASTËR- Të katër shtetasit e arrestuar dy ditë më parë, si anëtarë të rrjetit të trafikut të drogës e kanë pranuar faktin se ata do të ishin transportuesit e lëndës narkotike. Burime konfidenciale në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur për “Shekulli” se të ndaluarit të moshës 18-24 vjeç, banues në fshatin Kuman të rrethit Fier ishin rekrutuar për të kryer transportin nga bashkëfshatari i tyre, që vijon të jetë person në kërkim, 26-vjeçari Ervin Hoxha, i cili rezulton edhe organizatori i trafikut. Ndërkaq, po sipas të njëjtave burime mësohet se sasia prej 101 kilogramësh lëndë narkotike e llojit marijuanë ishte marrë në fshatin Lazarat dhe kishte si destinacion përfundimtar shtetin grek. Specialistët e policisë në bazë të deponimeve të dhëna nga Klevin Tomorri, 24 vjeç, Andi Nazëraj, 18 vjeç, Ervin Saliaj, 24 vjeç dhe Shkëlzen Lamçe, 24 vjeç kanë mundur të zbardhin edhe skemën që do të përdorej për këtë rast trafiku. Katër të ndaluarit do ta merrnin sasinë e lëndës narkotike në vendin ku do ta linte automjeti, ku u sekuestrua, pranë vijës së gjelbër të kufirit dhe më tej me këmbë do të transportonin ilegalisht drejt Greqisë. Vetëm gjatë tri muajve të fundit efektivat e policisë së drejtorisë së kufirit dhe asaj të qarkut kanë sekuestruar rreth 1500 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë në 7 operacione për goditjen e trafikut të drogës, ndërsa në pranga janë vendosur 15 persona, si të përfshirë në këto trafiqe.