Gjirokastër, fushatë sensibilizuese për zonën historike
Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze Gjirokastrës, ka startuar dje me një fushatë sensibilizimi për krijimin e standardeve për zonën historike të qytetit mbi bazën e rekomandimeve të UNESCO-s. Drejtori i kësaj zyre Rajmond Kola, është shprehur për gazetën SOT se misioni i vëzhgimit teknik të UNESCO-s, proces i realizuar muajin e kaluar, evidentoi dhe konstatoi njëkohësisht disa problematika që lidhen me elementë të qendrës historike, si tabelat e reklamave të shitoreve apo subjekteve të tjera, kondicionerët, antenat satelitore etj.
Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze të Gjirokastrës gjatë këtij viti ka krijuar një bazë me të dhëna fotografike duke evidentuar të gjitha problemet që janë shfaqur në zonën muzeale dhe shpresojmë që falë fushatës sensibilizuese, të gjithë pronarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre fitimprurës në këtë zonë dhe që janë subjekt i restaurimit, të ndërgjegjësohen për të larguar vullnetarisht këto materiale të cilat nuk i përshtatet formës tradicionale, pohoi Rajmond Kola. Sipas këtij të fundit, pushteti vendor në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës, Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze të Gjirokastrës dhe Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare, duhet të përgatitin panele identifikimi të kuptueshme për të gjitha dyqanet, restorantet, hotelet etj. Bashkia e Gjirokastrës në bashkëpunim me institucionet e specializuara, do të ndjekin politika sensibilizuese me pronarët e ndërtesave, ku parashikohet të restaurohen fasadat dhe në asnjë mënyrë nuk do të përdoren forma zyrtare, është shprehur Kola, duke shpjeguar njëkohësisht se katër institucionet e lartpërmendura do të garantojë që qepenat dhe tendat të jenë të të njëjtit material, ngjyrë dhe formë në të gjitha dyqanet e Pazarit Karakteristik.