Veliaj: Në zgjedhje do të triumfojnë të rinjtë
Kreu i G99, Erjon Veliaj, zhvilloi dje takime elektorale në Pogradec, ku u takua me të rinjtë e këtij qyteti. Gjatë këtij bashkëbisedimi, Veliaj theksoi se ndihet krenar që ndryshe nga kryetarët e partive të tjera ai prezanton kandidatë të rinj, të cilët nuk kanë asnjë të kaluar të korruptuar për të cilën të ndihen fajtorë. Kreu i G99 reagoi gjatë këtij takimi edhe në lidhje me marrjen me zor nëpër mitingjet e Partisë Demokratike të të rinjve dhe nxënësve të shkollave. "Ai që na qeveris", tha Veliaj, "nuk mendon se të rinjtë janë të aftë për punë, përkundrazi sipas Berishës të rinjtë janë të aftë për të ardhur me zor vetëm nëpër mitingje". Nuk e di, vijoi Veliaj, nëse e dëgjuat ministrin e Arsimit kur u tha se fëmijëve u bën mirë për shëndetin mendor që të marrin pjesë nëpër mitingje. "Po unë pyes, nëse u bëka mirë për shëndetin pse nuk çojnë fëmijët e tyre nëpër mitingje?!", u shpreh ai. Veliaj tha më tej se G99 kërkon një qeveri që nuk i heq fëmijët nga shkolla, por përkundrazi u jep mundësi që të mësojnë, të bëhen të aftë e që ne të gjithë të ndihemi krenarë me ta. G99 beson se do të jenë pikërisht të rinjtë ata që do të triumfojnë në zgjedhjet e 28 qershorit.