E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numërimi i votave, shorti "përkëdhel" Milon dhe Ndokën

Partia Demokristiane dhe Partia Demokracia Sociale janë dy subjektet zgjedhore që do të kenë përfaqësuesin e tyre në pjesën më të madhe të Grupeve të Numërimit të Votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve organizoi dje hedhjen e shortit për përcaktimin e anëtarit të tretë dhe të katërt të GNV-ve mes tetë partive parlamentare të ndara në dy grupe, shumicë parlamentare dhe pakicë parlamentare, përjashtuar këtu Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Nga hedhja e shortit rezultoi se Partia Demokristiane do të ketë anëtarin e tretë në të gjitha grupet e numërimit në 23 Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, ndërsa përfaqësuesit e Partisë Demokracia Sociale do të numërojnë votat në 22 KZAZ. PAD dhe PAA do të kenë anëtarin e tretë në të gjitha grupet e numërimit të votave, përkatësisht në 16 KZAZ secila, ndërsa PSD dhe PBDNJ do të numërojnë votat përkatësisht në 18 dhe 15 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

Për dy partitë e tjera, Partia Republikane dhe Lëvizja Socialiste për Integrim shorti ka rezultuar i pafat, pasi do të kenë përfaqësi të ulët në grupet e numërimit të votave, në 11 dhe 12 KZAZ. Vendimi për shortin e hedhur dje do të merret në mbledhjen e sotme ndërsa pritet që të shqyrtohet edhe raporti i dytë i Bordit të Monitorimit të Medias. Kompozimi i grupeve të numërimit të votave ka shkaktuar debate mes subjekteve politike. Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, GNV-të përbëheshin nga 13 anëtarë, por problemet e vërejtura gjatë procesit të numërimit të votave për shkak të numrit të madhe të anëtarëve i bindi partitë politike të reduktonin numrin e tyre. Kodi aktual zgjedhor parashikon se GNV-të përbëhen nga shtatë anëtarë ku anëtari i tretë dhe i katërt përcaktohet me short mes partive të vogla. Sakaq, procesit më të kontestuar në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, atë të numërimit të votave, në zgjedhjet e 28 qershorit do t‘i shtohet një element tjetër që pritet që të shmangë kontestimet e partive, kamerat, të cilat do të japin pamjet e drejtpërdrejta të fletës së votimit dhe do të ndihmojnë në shpalljen e rezultatit online. Shorti i hedhur dje, u bë sipas një udhëzimi që e miratoi paraprakisht KQZ-ja. Fillimisht me vendim të këtij institucioni u bë ndarja e partive të vogla në majtas dhe djathtas. Vendimi i mëparshëm e renditi PDK-në si parti të opozitës, por vendimi i Kolegjit Zgjedhor, pas ankimimit nga ana e PS-së, e renditi mes forcave të djathta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›