E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, kapen dy vëllezërit me 30 kg marijuanë



Policia e Gjirokastrës ka arrestuar dy vëllezër dhe ka sekuestruar 30 kg marijuanë që ishte gati për t’u shitur në tregun e qytetit. Në prangat e uniformave blu ranë shtetasit Edmond dhe Xhevair Doçi, 26 dhe 24 vjeç. Sipas burimeve, të rinjtë e kishin fshehur lëndën narkotike në një banesë në periferi të qytetit, ndërkohë që ajo ishte ndarë në sasi të vogla, gati për t’u hedhur treg. Sipas burimeve nga policia, droga ishte blerë në fshatin e Lazaratit. Të ndaluarit u shoqëruan në qelitë e komisariatit për t’u marrë në pyetje.

Arrestimi

Pas marrjes së informacionit se në një banesë në qytetin e Gjirokastrës ndodhej një sasi e madhe droge, menjëherë u organizua operacioni për ndalimin e të dyshuarve dhe sekuestrimin e lëndës narkotike. Forcat e policisë rrethuan një banesë në lagjen “Dunavat II” në qytet. Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit mbajtën nën mbikëqyrje banesën, deri në ardhjen e banuesve të saj. Sipas burimeve zyrtare policore, rreth orës 19:00 të së dielës, shtetasit që banonin me qira janë futur në banesë. Menjëherë specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me forcat e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, kanë ushtuar një kontroll në këtë banesë, ku u gjet edhe sasia prej 30 kilogramëve, e dyshuar si marijuanë. Sipas burimeve zyrtare, në banesë banonin me qira vëllezërit Edmond dhe Xhevair Doçi, 26 dhe 24 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Gjirokastër.

Agjentët e gjetën drogën në katin e dytë, si dhe në bodrumin e banesës, ku një pjesë ishte e bërë gati për paketim dhe trafikim, si dhe një sasi ishte përzier me duhan për t’u shitur në formën e cigares. Gjithashtu, dy të arrestuarve iu sekuestrua edhe një automatik tip kallashnikov. Ai ishte fshehur në dritaren e tualetit.

Hetimet

Nga hetimet e kryera, rezultoi se dy vëllezërit sasinë e lëndës narkotike e kishin blerë në fshatin Lazarat për ta trafikuar. Gjithashtu, një pjesë ishte bërë gati për t’iu shitur përdoruesve të qytetit. Agjentët po punojnë për zbardhjen e këtij trafiku dhe për zbulimin e personave të tjerë pjesëmarrës në të. Të ndaluarit Edmond dhe Xhevair Doçi u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›