Gjirokastër, kapen me 44 pako drogë dy korografë

Dy korografë janë arrestuar nga policia e Gjirokastrës pasi janë kapur duke transportuar një sasi marijuane. Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Nerti Xhani 25 vjeç dhe Almenda Hoxha 22 vjeçe të cilët u kapën duke transportuar 44 pako me marijuanë në autobuzin e linjës Gjirokastër-Tiranë.
Pas informacioneve në rrugë operative, uniformat blu u vunë në ndjekje të autobusit në vendin e njohur si ish-Agjencia e Udhëtarëve në Luftinjë në aksin rrugor kombëtar Tepelenë - Krahs dhe rreth orës 17.00 ata ndaluan autobusin, në bagazhin e të cilit mes çantave të tjera zbuluan edhe dy valixhet e dyshuara me lëndë narkotike.
Nga kqyrja e valixheve rezultuan 44 pako në formë cilindrike, të mbështjella me letër natriban dhe brenda tyre ndodhej lënda narkotike e papresuar në formë boçeje.
Para se të identifikonte dy autorët, policia mori në pyetje të gjithë pasagjerët dhe drejtuesit e autobusit nga ku rezultoi se dy valixhet u përkisnin dy korografëve nga Tirana.
Sipas policisë dy koreografët kolegë pune me njëri –tjetri e kishin blerë drogën në Lazarat për ta shitur në sasi të vogla më pas në Tiranë për konsum të brendshëm në ambientet e shkollave, universiteteve dhe pubeve të natës.