E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dallgët përpijnë babë e bijë

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Tragjedi në det, mbyten babë e bijë, në gjendje të rëndë nëna dhe djali 13 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 10:30 në plazhin e quajtur Pish-Poro në fshatin Delisuf të Vlorës. Kudret Çepele, 41 vjeç dhe bashkëshortja e tij 37-vjeçare ndodheshin nën çadër, kur kanë parë se dy fëmijët e tyre ndodheshin në rrezik në det. Dy bashkëshortët kanë nxitur të shpëtojnë fëmijët e tyre, vajzën 15 vjeçe dhe djalin 13 vjeç. Pasi arriti të nxjerrë në breg të birin, Kudret Çepele është rikthyer në det për të marrë edhe vajzën të cilën po tentonte ta shpëtonte e ëma. Por dallgët rrëmbyen babë e bijë, duke iu shkaktuar atyre vdekjen. Pushues të rastit ndërhynë, por ata mundën të shpëtonin vetëm jetën e 37-vjeçares, e cila rrezikoi të mbytej bashkë me vajzën dhe të shoqin. Mësohet se familja Çepele është nga fshati Bishan i komunës Novoselë. Ata kishin shkuar dje në fshatin Delisuf për të bërë plazh, por gjithçka u kthye në tragjedi për ta. Sipas dëshmitarëve, deti dje ishte mjaft i trazuar e me dallgë të mëdha, të cilat përpinë edhe babë e bijë. Fëmijët ishin futur të vetëm në det, por rreziku që ata po i kanoste është pikasur shumë shpejt nga prindërit, të cilët u futën t'i shpëtonin. Babai arriti të luftonte me dallgët e të çonte në breg djalin. Por u detyrua të rikthehej, pasi në rrezik ishte edhe vajza dhe gruaja që po mundohej ta shpëtonte. Tragjedia ka tërhequr vëmendjen e disa pushuesve të tjerë. Ata, duke parë rrezikun në të cilën ndodheshin viktimat, kanë rënduar për t'i ndihmuar. Por kanë mundur t'i shpëtojnë jetën vetëm 37-vjeçares, të cilën arritën ta nxjerrin në breg thuajse pa ndjenja. Nënë e bir u dërguan me urgjencë në spitalin e Vlorës, pasi gjendja e tyre ishte e rëndë dhe tepër të traumatizuar nga ngjarja. Ndërsa tentativa për të shpëtuar dy viktimat e tjera ishte e kotë. Dallgët i rrëmbyen dhe i fundosën. Policia u sinjalizua për tragjedinë dhe arriti në vend bashkë me polumbarët. Pas kërkimeve të kryera, dy trupat e Kudret Cepeles dhe Erisiona Cepeles u gjetën jo shumë larg njëri- tjetrit. Viktimat u çuan në morgun e qytetit të Vlorës, ndërsa grupi i hetimit përcaktoi si shkak të vdekjes mbytjen në det të tyre për shkak të dallgëve. Burime nga spitali bënë të ditur se të mbijetuarit e tragjedisë janë nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet e kryera nga policia, dallgët e mëdha dhe fakti që dy të miturit nuk dinin not kanë qenë dhe shkaqet që sollnë tragjedinë në familjen Çepele.

Nisen për plazh, aksidentohen dy të rinj
DURRES - Dy të rinj që ishin nisur për në plazhin e gjirit të Lalëzit në Durrës u aksidentuan mesditën e djeshme në aksin rrugor Maminas-Manëz. Sipas policisë, makina tip "Wolksvagen", me targë DR 9100 D, e cila drejtohej nga 35-vjeçari Fatmir Osmani, është përplasur me një motor me targë TR 091 D në të cilin udhëtonin dy 18-vjeçarë. Për pasojë mbetën të plagosur rëndë F.Bodinaku dhe M.Jashari, që të dy nga Tirana. Pas ngjarjes, dy të rinjtë u dërguan në spitalin e Durrësit, ku pavarësisht plagëve janë jashtë rreziku për jetën. Drejtuesi i mjetit është ndaluar nga policia deri në sqarimin e rrethanave të aksidentit. Rruga nacionale që të çon në bregdet, e inauguruar plotësisht pak javë më parë, shënon aksidentin e parë për këtë sezon vere, kur dhe fluksi i pushuesve shtohet çdo ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›