E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, katër në pranga për trafik hashashi

Të arrestuarit janë nga kryeqyteti dhe po shpinin drogën nëpërmjet kufirit për në Greqi

GJIROKASTËR- Një sasi prej 42 kilogramësh lëndë narkotike janë sekuestruar dje, ndërsa në pranga janë vendosur 4 persona, të cilët do të kryenin transportin e saj. Gjithçka është kryer në kuadër të operacionit të koduar “Skai”, ndërsa droga kishte si destinacion Greqinë. Operacioni është organizuar pas informacioneve të marra në rrugë operative për një sasi lëndësh narkotike që do të trafikohej nëpërmjet kufirit të gjelbër. “Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për transportimin e një sasie lënde narkotike në drejtim të kufirit të gjelbër midis Tre-Urave dhe Leskovikut, u organizuan shërbimet në aksin rrugor Përmet -Leskovik. Pak orë më vonë, operacioni u finalizua me sukses, me arrestimin në flagrancë të katër shtetasve dhe sekuestrimin e 42 kilogramëve marijuanë”,- ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se shtetasit Leonard Luzi, 26-vjeç, lindur dhe banues në Kashar Tiranë, Oljon Muçollari, 38 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Jetmir Madani, 25 vjeç dhe Shkëlzen Matani, 20 vjeç të dy lindur në Tropojë dhe banues në Kamëz Tiranë, janë ndaluar, në momentin që ishin duke udhëtuar me dy automjeteve. “Gjatë kontrollittë ushtruar në mjetin tip Opel u konstatuan tre çanta shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si mariuanë”,- ka theksuar më tej Mullai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›