E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirditë, banorët bllokojnë punimet e autostradës

Problemet mes tyre dhe firmës ndërtuese për disa rrugë janë acaruar së tepërmi. Krijohen barrikada njerëzore

MIRDITË- Bllokimi i rrugëve lidhëse të disa fshatrave në komunën e Fanit në Mirditë me aksin tradicional nga punimet që po kryhen në segmentin autostradal Rrëshen-Kalimash ka bërë që banorët e këtyre fshatrave të bëjnë bllokimin e punimeve në trasenë e autostradës, duke organizuar “barrikada njerëzore” me trupat e tyre para makinerive të rënda që punojnë atje.

Kështu rreth orës 08.00 të paradites së djeshme, në trasenë që tashmë ka filluar të marrë formë të autostradës midis fshatit Sang dhe tunelit të Thirrës, banorë të disa fshatrave nuk kanë lejuar kalimin e mjeteve të kompanisë ndërtuese të vazhdonin punimet. Kjo bllokadë ka vazhduar për tre orë resht ndërsa banorët nuk janë bindur nga sqarimet që kanë dashur t’u japin përfaqësues të firmës, ata nuk i kanë lëshuar “istikamet” e tyre edhe pas ardhjes së forcave speciale policore që sigurojnë mbarëvajtjen e punës në këtë segment duke kundërshtuar ashpër se nuk do të lejonin që traseja t’iu bllokonte tërësisht lidhjet e tyre jetike me fshatrat fqinj dhe komunën apo më tej. Megjithatë policia ka arritur të shpërndajë protestën me forcë duke bërë të mundur pas tri orësh vazhdimin e punimeve në rrugë, ndërsa banorët kanë ndenjur sërish aty anash rrugës përgjatë gjithë ditës, të gatshëm për të rifilluar protestat dhe ribërë bllokimin e rrugës sapo të largohej policia. E gjitha kjo sipas banorëve ka ardhur pasi fshatrat dhe lagjet në Thirrë, Melth, Lari, Dardhaz, Xhuxhë etj, janë bllokuar tërësisht në momentin që aty po merrte formë traseja e autostradës. Madje sipas kryetarit të fshatit Thirrë, Ndue Ceku, banorët e këtyre fshatrave që prej 9 muajsh gjinden të izoluar, pasi traseja e rrugës autostradë ka prishur të gjitha lidhjet interurale me aksin kryesor që të shpie për në qendër të komunës dhe se prej kaq muajve, ata detyrohen të ecin në këmbë, të mbartin dhe miellin e ushqimet në shpinë. “Që në muajin shtator i bëmë telegram kryeministrit Berisha si fshat, dhe përmes përfaqësuesve të qeverisë na u përgjigjen se brenda një muaji do të jepet zgjidhje, por sërish askush nuk e ka mbajtur fjalën. Edhe një nënkalim që është bërë, kalon nëpër disa prona të fshatit Sang, banorët e të cilitnuk janë dëmshpërblyer për kalim rruge aty, ndaj dhe andej nuk kalohet, kësisoj ne kemi mbetur tërësisht të izoluar”,- thanë dje banorët e fshatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›